Futboll

Liverpuli i njëjtë, përmbys Arsenalin dhe kryeson me pikë të plota

Në “Monday night” të javës së tretë të Premier Ligës, Liverpuli mundi 3-1 Arsenalin me përmbysje dhe kjo është fitorja e tretë në po kaq ndeshje për kampionët, të cilët kryesojnë renditjen. Skuadra e Klop dominoi ndaj asaj të Artetës, por ndeshja mbeti e hapur deri 2 minuta para fundit. Trajneri gjerman merr hak kështu ndaj trajnerit bask, që e kishte mundur në dy sfidat e fundit.

Mungonte në këtë ndeshje Tiago Alkantara për një shqetësim fizik dhe Liverpuli luan me treshen Keita- Fabinjo-Uijnaldum në mesfushë. “Të kuqtë” krijojnë raste dhe Aleksander-Arnold, pas një devijimi të Belerin, godet traversën. Në kundërsulmin e parë Arsenali arrin të zhbllokojë rezultatin. Maitland-Niles avancon në të majtë dhe Lakazet mposht Alisonin. Por është vetëm një shkëndijë.

Robertson shënon golin e dytë ndaj Arsenalit. Gazeta Si, 29 shtator 2020

Kalojnë vetëm 180 sekonda dhe Liverpuli barazon. Mane, afër portës, e shtyn topin në rrjetë pas devijimit të Lenos. Në minutën e 34-t Robertson shlyen gabimin në rastin e golit të Arsenalit dhe kalon Liverpulin në avantazh. Supremacia e kampionëve në fuqi vazhdon edhe në pjesën e dytë, por goli i sigurisë vjen vetëm në minutën e 88-të, ndërkohë që Arsenali kishte humbur më parë shansin e barazimit me Lakazet. Blerja e fundit e Liverpulit, Jota, i futur në fushë si zëvendësues, shënon të tretin me një gjuajtje të saktë në hyrje të zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë