Politike

Rama me Di Maio: Italia pranë nesh (Video)

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio ishte këtë të premte për një vizitë zyrtare në Tiranë, ku në qendër të takimeve të tij ishte lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi si një motor për rritjen ekonomike të vendit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin italian, Kryeministri Edi Rama falenderoi Italinë për mbështetjen e pakufizuar në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe për ndihmën për përballimin e pasojave të tërmetit të një viti me parë, pavarësisht rrethanave të shkaktuara nga pandemia.

“Dua ta falenderoj ministrin për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës për të cilën e gjithë bota është vendosur në lëvizje. Siç e kam thënë edhe më parë, Italia falë lidhjes që ka me Shqipërinë është pranë nesh, siç është dhe BE pranë Ballkanit Perëndimor. Sot kemi folur me ministrin për temën e bashkëpunimit. 10 vjet si sot është nënshkruar partneriteti strategjik Shqipëri-Itali. Ne duam të nxisim dialogun në fokusin e temave të bashkëpunimit mes dy vendeve mbi planin e investimeve për Ballkanin, transport dhe infrastrukturë dhe energji e digjitalizim”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë