Politike

Pas marshimit rreth Kryeministrisë, protestuesit te Parlamenti

Opozita po vijon protestën e saj para dhe rreth Kryeministrisë, në Bulevard dhe para parlamentit, të paralajmëruar si kulmim i ftesës që Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë të partive opozitare u kanë bërë qytetarëve për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Ka nisur me fjalën e ish-deputetit demokrat Flamur Noka protesta e opozitës së bashkuar përpara Kryeministrisë. Noka ështe i vetmi që njofton ecjen rreth e rrotull kryeministrisë nga podiumi i protestës.

“Ky është një marshim protestë, marshimin revolte ndaj kryebanditit, Rama IK, populli ka forcë, Rama ti nuk i përfaqëson dot më shqiptarët më, na ndiqni vëllezër. E morët vesh apo jo, na ndiqni, na ndiqni”, tha Noka.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe simpatizantët që ishin grumbulluar në selinë e PD-së janë bashkuar me protestuesit, të cilët janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Po ashtu edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi me përkrahësit e saj i janë bashkuar mitingut para Kryeministrisë.

https://www.youtube.com/watch?v=Ancs7MqT4TU

Kohëzgjatja e këtij tubimi nuk dihet. Partia Demokratike ka kërkuar nga policia leje 48-orëshe, por kërkesa është refuzuar nga ana e Policisë së Shtetit.

Rreth 1200 forca policie janë angazhuar në mbarëvajtjen e sigurisë, ndërkohë që është vendosur një perimetër sigurie me kangjella të lëvizshme hekuri të mbërthyera me zinxhirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë