Shpërfilljes së mazhorancës ndaj dekretit të nxjerrë prej tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Presidenti iu përgjigj me shpërfillje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që i rrëzoi dekretin ditën e hënë.
Ilir Meta doli në konferencën e paralajmëruar për mediat, ku tha se 30 qershori është një proces imagjinar dhe akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se është shndërruar në një zgjatim të Partisë Socialiste.
“Në këtë proces, Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspakt vlefshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ja njeh Kushtetuta. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur si palë në këtë proces, apriori vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë për dekretin, ashtu edhe për anulimin e datës së zgjedhjeve. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor ka efekt vetëm përkundrejt palëve në proces dhe vetëm për atë që është vendosur midis këtyre dy palëve, pra midis organizatës socialiste të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aleatit të Partisë Socialiste”, tha Meta.
Presidenti deklaroi se vendimi i Kolegjit është një truk procedurial që mazhoranca po e përdor për t’u justifikuar politikisht punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sa i takon vendimmarrjes, Meta foli me termat e opozitës. “Duket qartë që vendimi është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës”, vijoi Presidenti.
Ai e cilësoi shfaqje të rëndomtë që nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës dhe sundimit të ligjit. “Presidenti ka anuluar një proces zgjedhor monist, ndërkohë që mazhoranca dhe organizata socialiste e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vazhdojnë në paligjshmëri të plotë për të organizuar një proces imagjinar”, tha ai.
Meta kërkoi edhe prej ndërkombëtarëve që të respektojnë dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve dhe nënkuptoi se ambasadorët tregohen të pasinqertë sa i takon hapjes së negociatave për anëtarësim të vendit tonë me Bashkimin Europian.
“Në Shqipëri, i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhejve është Presidenti. Nuk kam anuluar zgjedhjet as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë. Mos prisni nga asnjë ambasador që të thotë këtë që po ju them unë, sepse edhe nëse do të bëheshin zgjedhjet që nuk ekzistojnë ligjërisht, e ardhmja europiane dhe çelja e negociatave do të ishte e paditur për një kohë shumë të gjatë. Zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal. Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë shtet tjetër, në asnjë ambasadë, në asnjë fondacion. Kam anuluar zgjedhjet para gjithë shqiptarëve këtu”, tha Presidenti.
Presidenti nuk komentoi në asnjë rast nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e tij, dorëheqjen e përjashtoi si mundësi dhe paralajmëroi se nga institucioni që drejton do të rifillojë ringritja e republikës.
“Ky institucion nuk i përket Ilir Metës. Ky institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi nga ky institucion do të fillojë ringritja e republikës. Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe as koloni e një fondacioni ndërkombëtar”, deklaroi Meta.
Presidenti nuk e përmendi emrin e fondacionit ndërkombëtar, që siç hamendëson në fjalën më lart po synon të shndërrojë në koloni vendin tonë, ndërsa në fund nuk përjashtoi as këtë herë mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit. Meta përsëriti thirrjet për dialog, por që sipas tij fillon vetëm atëherë kur mazhoranca të heqë dorë nga 30 qershori dhe paligjshmëria, sipas tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.