Ilir Meta doli në konferencën e paralajmëruar për shtyp pas takimit me ekspertët e delegacionit të Komisionit të Venecias, që kanë mbërritur në Tiranë si pjesë e thirrjes së Kuvendit të Shqipërisë për të dhënë një mendim mbi nismën e socialistëve për shkarkimin e Presidentit.
Presidenti tha se do të bëjë publike të gjithë dokumentacionin që u dorëzoi ekspertëve të Venecias dhe shtoi se ky dokumentacion do të bëhet publik javën e ardhshme në shqip dhe anglisht.
“Dokumenti që kemi dorëzuar do të jetë nga e hëna publik në shqip dhe anglisht dhe i hapur për mendime për qytetarët, gazetarët dhe jursitët”, tha Meta.
Presidenti falenderoi Kuvendin që kërkoi mendimin e Venecias për këtë çështje dhe këmbënguli se shqiptarët e dijnë shumë mirë që Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese. “Por përkundrazi, çdo përpjekje për të kundërtën është përpjekje për të shmangur 18 tetorin. Presidenti është gati të shkojë në Venecia më 11 tetor, por media të merret me 18 tetorin”, tha ai.
Lexo edhe:
Presidentët dhe përplasjet me mazhorancat
Shkarkimi i Metës, a po zbutet LSI me PS dhe po përplaset me PD?
Meta tha se nuk ka zhdekretuar, por ka dekretuar shfuqizimin e 30 qershorit.
“Shqiptarët jetojnë në dy shtete, në shtetin e propagandës dhe shtetin e së drejtës. Unë për vete mendoj se jam në shtetin e së drejtës. Propaganda thotë që Presidenti nuk ka të drejtë të zhdekretojë, se nuk ja lejon Kushtetuta. Unë nuk është se kam zhdekretuar. Unë kam të drejtë që të nxjerr dekrete si President. Unë kam të drejtë që të nxjerr një dekret për të shfuqizuar dejretin tim të mëparshëm”, tha ai.
Presidenti tha se me vendimin për anulimin e 30 qershorit dhe dekretimin e 13 tetorit si datë zgjedhjes mund të ketë shkelur vetëm Kodin Zgjedhor dhe jo Kushtetutën dhe parimet e saj.
“Mund të pyesni po Presidenti a ka shkelur Kushtetutën? Po, presidenti mund të ketë shkelur me 2-3 muaj Kodin Zgjedhor, por jo Kushtetutën. Kushtetuta flet vetëm për periodicitetin e zgjedhjeve, jo për data dhe afate”, tha Meta.
Presidenti këmbënguli se me reformën në drejtësi janë shkelur rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe hamendësoi se ekspertët e këtij Komisioni duhej të vinin në Shqipëri për këtë çështje, jo për shkarkimin e tij.
“Janë shkelur rekomandimet e venecias për reformën në drejtësi, por prokurorin e përgjithshëm, gjykatën kushtetuese. Po të ishin të zgjuar ata, nuk kishin pse të vinin për këtë çështje, por vinin për çështje me të rëndësishme. Venecia rekomandonte se zbatimi i reformës në drejtësi të ruante frymën e konsensusit. Prokurori i Përgjithshëm, për të shmangur kapjen e tij komisioni rekomanadoi që deri në zgjedhjet, ajo të bëhet me 2/3 e anëtarëve të Kuvendit, pas datës së zgjedhjeve me 3/5, pra me mbi 84 vota”, u shpreh Meta.
Sa u takon negociatave, Edi Rama kërkon hapjen e tyre në tetor duke këmbëngulur se Shqipëria ka plotësuar kriteret e vendosura nga Brukseli. Të njëjtën gjë po kërkon së fundmi edhe Lulzim Basha, por me arsyetimin se hapja e negociatave është rruga më e mirë për të shkëputur regjimin “kriminal të Edi Ramës”.
Këtë qëndrim të njëzëshëm të PS dhe PD, Ilir Meta nënkuptoi se e lexon si sinjal se palët po afrohen me njëra-tjetrën drejt një pakti Rama-Basha 2.0.
“Po dëgjojmë lajme shumë pozitive, sepse unë duhet të gëzohem dhe ju të jeni të lumtur, pavarësisht se unë jam shumë dyshues derisa suksesi të ndodhë dhe gotat e shampanjës të ngrihet lartë. Keni dëgjuar të gjithë që do të çelen negociatat, kënaqësi ta dëgjonim edhe nga ana e PD tani”, tha Meta.
Presidenti u shpreh aq i bindur se më 18 tetor Shqipëria nuk merr hapjen e negociatave, saqë shprehu gatishmërinë për të dekoruar Edi Ramën nëse ky i fundit do të merrte këtë vendim pozitiv nga Brukseli. Bashën dhe Kryemadhin e përjashtoi nga dekorimi. “Bashës nuk i jap dekoratë sepse ai ka braktisur institucionet. As Monikës jo, se ajo i ka dhënë besën Lulit”, u shpreh Meta.
Meta minimizoi rëndësinë e takimit me Bashën në Presidencë paraditen e së mërkurës duke e cilësuar atë një takim normal pas pushimeve, ndërkohë që nga PD, Gazment Bardhi lexoi ndryshe nga deklaratat e Presidentit. Ai mohoi se po shkohet drejt një pakti Rama-Basha që shmang Presidencën dhe LSI-në, duke deklaruar se në fjalitë e Presidentit me rëndësi ishte nënvizimi prej tij se vendi ndodhet në një krizë të thellë kushtetuese dhe përfaqësimi.
Konferenca mbërrin edhe pas një takimi që kreu i shtetit pati me Lulzim Bashën në Presidencë. Basha ngjiti shkallët e Presidencës rreth orës 10:00 dhe doli prej andej 60 minuta më vonë.
As nga Presidenca dhe as nga Partia Demokratike nuk doli një njoftim mbi diskutimet në këtë takim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.