Politike

Presidentët dhe përplasjet me mazhorancat

Historia e Presidentëve 1991-2019 është e ndërlidhur ngushtë me llojin e mazhorancave politike dhe emrat e kryeministrave gjatë mandatit të tyre. Kur kryeministrat kanë pasur protagonizëm personal dhe kontroll të mazhorancës, ata e kanë përdorur qeverinë dhe parlamentin për të sulmuar, denigruar apo izoluar Presidentin e Republikës.

Ka pasur edhe raste të tjera kur vetë Presidentët, në kushtet e rotacionit politik në qeveri, kanë shfaqur sjellje agresive ndaj mazhorancave, në varësi nga natyra e Presidentit, nëse ai ka qenë institucional (mbi palët) apo i njëanshëm (në mbështetje të palës që e ka zgjedhur). Faktori i tretë lidhet me kompetencat kushtetuese. Presidentët e periudhës 1991-1998 kanë pasur kompetenca të tjera kushtetuese, shumë më të mëdha sesa Presidentët pas 1998. Gjithashtu, Presidentët pas 2008 janë ndeshur me rritje kushtetuese të kompetencave të kryeministrit, duke sjellë edhe dobësimin e tyre në raport me institucionet ekzekutive dhe parlamentin.

Tabela më poshtë e Institutit të Studimeve Politike (ISP) përmbledh të dhënat e Presidentëve prej 1991. Ramiz Alia ishte një vit President, më pas dha dorëheqjen pas rotacionit të vitit 1992, megjithatë nën mazhorancën e re u vu nën hetime dhe më pas u arrestua dhe u dënua për akte që lidhen me periudhën përpara detyrës së Presidentit. Rexhep Meidani u bë President më 1997, por kaloi një vit të vështirë në raportet personale me kryeministrin Nano, sidomos në debatin për ndryshimet në qeveri më 1998. Raportet e tij të mëvonshme me kryeministrat Majko e Meta ishin pozitive. Alfred Moisiu ishte Presidenti i vetëm konsensual dhe që nuk ka qenë funksionar në asnjërën nga partitë politike. Presidenca e tij u përball me sulme të njëanshme në vjeshtën e vitit 2003 nga e djathta, më 2004 nga e majta dhe pas 2005 përsëri nga mazhoranca e re e djathtë. Bamir Topi pati mbështetjen e mazhorancës deri në ndryshimet kushtetuese 2008, por u sulmua ashpër prej saj sidomos pas janarit 2011.

Tabela e ISP-së mbi mandatet e presidentëve në Shqipëri pas viteve '90

Meidani dhe Topi janë presidentët e vetëm që patën të njëjtën mazhorancë gjatë mandatit të tyre presidencial, dhe se Topi, pati të njëjtin person kryeministër përballë. Bujar Nishani u emërua President nga mazhoranca e djathtë më 2012, kaloi një vit të qetë me të derisa rotacioni politik 2013 i solli konflikte të dyanshme midis tij dhe mazhorancës së re të majtë. Ilir Meta u bë President nga e majta më 2017 dhe vijon të jetë në post, ndërkohë që pas një viti të qetë, gjatë 2019 nisi një krizë politike që kulmoi me ngritje të komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e tij.

Konkluzioni? Shqipëria vazhdon të ketë traditë të brishtë institucionale dhe rivalitet personal për protagonizëm politik, ku institucionet janë mburojë e pasojë, jo bazë referuese. Figura kryesore politike midis 1991-1998 ishte Presidenti, por pas Kushtetutës së vitit 1998 dhe sidomos pas 2008, pushteti i kryeministrit është de facto më i madh sesa edhe presidentët e viteve ’90. Kurba e pushtetit ka përcaktuar kurbën e marrëdhënieve dhe se në tri dekada ka vetëm një rast konsensual, – një dallim i madh nga praktikat e shumta konsensuale në Itali, Gjermani, Greqi dhe vende të tjera perëndimore të natyrës parlamentare

*Marrë nga Instituti i Studimeve Politike – ISP


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë