Kosova po feston sot në një ceremoni madhështore 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s në Prishtinë, duke i dhënë fund represionit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo ditë historike ka bërë bashkë në Prishtinë ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright, gjeneralin amerikan Wesley Clark dhe shumë personalitete të tjera që kontribuan në çlirimin e Kosovës.
Por pavarësisht atmosferës patriotike, flamujve shqiptarë dhe amerikanë dhe posterat e pafundme në shenjë falënderimi për ish-presidentin Clinton, diskutimet e fundit mbi ndryshimin e kufijve të Kosovës duket se qëndronin në mendjen e të gjithë të pranishmëve.
Ai që përmendi shkoqur kufijtë në ceremoninë zyrtare të mbajtur në Prishtinë ishte kryeministri Ramush Haradinaj, i cili i bëri thirrje Serbisë të njihte Kosovën në kufijvë ekzistues. Haradinaj u shpreh se se Kosova është e gatshme që të pajtohet me shtetin serb dhe të lërë prapa krahëve gjenocidin në Kosovë.
“Paqen e bëjnë të guximshmit dhe ne guxojmë të pajtohemi me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë që ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve.
Paqja me Serbinë duket se ishte kryefjala e të gjithë pranishmëve, nga ish-presidenti Clinton, Albright dhe zëvendës-ndihmëssekretari Mathew Palmer, që i kërkonin Kosovës të mendonte për të ardhmen.
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton tha se ndjehej i nderuar që ka qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”.
Clinton tha se e kujtonte gjithmonë vizitën e tij të parë Kosovë, por se tani do të donte që qytetarët e saj të bënin paqe me veten dhe të shikonin nga e ardhmja.
“E dua këtë vend dhe gjithmonë do të jetë nderi më i madh në jetë që kam qëndruar krah jush kundër spastrimit etnik dhe për liri, bashkë me sekretaren Albright. Kam një poster në zyrën time në Nju Jork, ku kam vendosur një fotografi timen me Algright dhe Tony Bler në Kosovë. Më kujtohen fytyrat e fëmijëve që takova në shkollën fillore në Ferizaj në vitin 1999 dhe sot dua të them sërish diçka që e thashë edhe para 20 vitesh. Ne fituam luftën, por vetëm qytetarët e Kosovës mund të fitojnë paqen. Sot ne duhet të mendojmë çfarë mund të bëjmë”, deklaroi ish-presidenti. “Pas rënies së Murit të Berlinit, të gjithë menduan se po shkonin drejt një bote më të mirë dhe se të gjithë do të ishim miq. Unë nuk kam dashur që shekulli 20 të përfundojë si një përsëritje e rëndë e gjakderdhjes prandaj u mundova të ndalja luftën në Bosnjë dhe Irlandën e Veriut. Në fund pikëpyetja ishte a do ta lejonim spastrimin etnik në Kosovë, ku gjysma e popullsisë ishin larguar me forcë?!”, tha Clinton.
Edhe pse nuk e përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëveshjen me Serbinë, Clinton bëri thirrje që Kosova të gjente kurajon për të ndërtuar paqen.
“Para 20 viteve, NATO fitoi luftën. Po tani çfarë do të bëni 20 vitet e ardhshme? Ku dëshironi që të jetë vendi juaj? Ju gjetët kurajon që të luftoni për vendin tuaj, pastaj gjetët kurajon që të ulni armët. Por tani ju duhet kurajo për të vazhduar shtetndërtimin e Kosovës. Mënyra më e mirë për të nderuar ata që humbët në luftë, është të arrini paqen dhe të gjithë së bashku të ecni përpara”, deklaroi ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Ai dha një mesazh të fuqishëm për të gjithë shqiptarët e Kosovës, duke u bërë thirrje ta ndërtojnë jetën në vendin e tyre në vend që të zgjedhin emigracionin. Clintin ka ndarë një moment jashtëzakonisht të veçantë, duke treguar se si një kamarier shqiptar ishte ulur në gjunjë për ta falënderuar për gjithçka që kishte bërë për Kosovën.
“Sot duhet të falenderoni Zotin qe keni shansin të merrni pjesë në zgjedhje, të hani darkë me njëri-tjetrin dhe jo të jeni duke luftuar. Në gati 19 vitet që kam qenë jashtë Shtëpisë së Bardhë, gjëja më e bukur që ma ka ndodhur është ku njerëzit më afrohen në rrugë, apo në hotel apo në një restorant kur një kamerier më pa dhe u ul në gjunjë dhe më falënderoi. Ishte shqiptar. Unë jam pro emigrimit dhe i dua shumë shqiptarët në Nju Jork, por do të doja t'u bëja thirrje shqiptarëve të qëndronin këtu, të ndërtonin jetën këtu dhe të formonin familjet këtu”, tha ai.
Nga ana tjetër sekretarja Madeline Albright mbajti një fjalim mjaft emocionues duke kujtuar momentin kur presidenti Bill Clinton e njoftoi për ndërhyrjen në Kosovë.
“Ky nuk ishte një vendim i lehtë dhe ne kemi pasur shumë diskutime. Natën që nisën bombardimet me telefonoi në mes të natës për të më thënë se avionët ishin nisur. Të dy njëzëri thamë se po bëjmë gjënë e duhur”, deklaroi ajo.
Albright tha se çlirimi i Kosovës ishte një kauzë e drejtë për të cilën ia vlente të luftoje. “Jam e krenare me atë që kemi bërë së bashku. Lufta në Kosovë ka qenë një përballje e vrasjeve barbare ndaj popullsisë, më e rëndësishmja është se ia dolëm, kauza jonë ishte e drejtë”, tha Albright.
Albright tha se koha kishte ardhur për të lëvizur përpara dhe u shpreh se tashmë kosovarët i kanë treguar botës se janë të zotë.
Në fjalën e tij Presidenti Hashim Thaçi falënderoi përzemërsisht të gjithë aleatët perëndimorë të Kosovës, duke i siguruar se Prishtina do të vazhdojë të ecë përpara. Më pas ai u ndal tek marrëveshja me Serbinë, duke deklaruar se Kosova është e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse si një vend sovran.
“12 qershori është dita e lindjes së Kosovës. 12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Europës. Ashku siç jemi sot bashkë, amerikanë, shqiptarë, britanikë, gjermanë e franceze, ashtu ishim bashkë edhe para 20 vitesh, në ditët më të errëta të Kosovës, kur ishte në rrezik vetë ekzistenca jonë”, tha presidenti.
“Ne jemi të bindur që së bashku, duhet dhe mund të ecim më shpejt drejt integrimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkim Evropian. Ne e meritojmë këtë ashtu siç e kemi merituar të jemi të lirë Ashtu siç kemi qenë vite më parë, të bëjmë marrëveshje historike me Serbinë ashtu jemi edhe sot të vullnetshëm të bisedojmë për të bërë marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim e marrëdhënieve si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dhe këtë ua kemi borxh të gjithë atyre që vuajtën dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, tha Thaçi.
“Edhe pas përfundimit të luftës, bota e qytetëruar ishte së bashku me ne, për të ndërtuar një Kosovë të re. Ne jemi demokraci e re liberale në Europë. Mbajtëm zgjedhjet e para të ligjshme, mësuam të respektojmë pakicat dhe të thithim investime. Tani e dimë se pavarësia jonë nuk mund të jetë e plotë pa ngritur flamurin në selinë e OKB-së. Ne jemi të gatshëm për një marrëveshje me Serbinë, për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm. Kosova është mburrja dhe krenaria, është fati ynë. Urime edhe njëherë ditën e Çlirimit të Kosovës”, theksoi ai.
Në të njëjtën vijë me Thacin duket se ishte edhe zëvëndës-ndihmëssekretari Mathew Palmer, i cili i bëri thirrje Kosovës të arrinte një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë si mënyrën e vetme për të ecur përpara në rrugën e integrimit euro-atlantik. Palmer tha se SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë partner mbështetës i Kosovës dhe u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen në fuqizimin e rendit dhe ligjit.
Ai tha se tani është koha ideale për t’u arritur marrëveshja përfundimtare në mes të të dyjave vendeve.
“20 vite më parë ishte e paimagjinueshme se ne do të mblidheshim në kryeqytetin më të ri të Europës. Por sot ka ikur dita kur NATO, BE-ja apo SHBA-ja do të mund të merrnin vendime në emër të Kosovës. Sot është radha juaj që të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj”, tha ai.
"Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë së bashku në emër të viktimave të luftës që të gjejnë drejtësi. Ato duhet të lënë mënjanë retorikat nacionaliste për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke. Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinj dhe natyrisht të dyja vendet duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët jo vetëm për shkak të komuniteteve serbe dhe kosovare por edhe për të vazhduar përpara në rrugën europiane. Theksoj se nuk ka kohë më të mirë dhe më të përshtatshme për ta bërë këtë. Duhet të kërkohet një qëndrueshmëri në mënyrë që ta thyejmë këtë pengesë. Shfrytëzoheni mundësinë për të arritur një marrëveshje, Shtetet e Bashkuara do t’ju ndihmojnë", deklaroi Palmer.
Ashtu siç pritej kryeministri Ramush Haradinaj iu përgjigj këtyre deklaratave duke theksuar se Kosova është e gatshme për marrëveshje, por se ajo do të arrihet brenda kufijve ekzistues.
“I bëjmë thirrje Serbisë që ta njohë Kosovën të pavarur në kufijtë e vet. Në mënyrë që ne që qeverisim të bëjmë një punë më të mirë dhe të ndërtojmë një vend më të mirë për qytetarët tanë. Në mënyrë që brezave të rinjtë t’u lëmë lirinë dhe respektin dhe jo tu lënë luftën për territore. Kosova është e gatshme për marrëveshje dhe për bashkëpunim. I bëjmë edhe njëherë thirrje presidentit serb të njohë pavarësinë tone”, tha Haradinaj.
Kryeministri ka falënderuat ish-presidentin amerikan, Bill Clintonin si dhe Albrightin për ndihmesën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite. “President Clinton, jeni në shtëpinë e juaj. Zoti e bekoftë Kosovën. Ju i ndalet trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot populli ynë ju falenderon për gjithë jetën”, përfundoi Haradinaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.