Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim përsëriti mesazhin e saj drejtuar kryetarëve të partive politike, që janë edhe përgjegjës për hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, që t’i shmangën tundimit për të vendosur në këto lista emra me precedentë penalë.
Kim kërkoi që për të garantuar pastërtinë e figurës së kandidaturave, partitë të ndjekin të njëjtin proces si vettingu në reformën në drejtësi.
“Ashtu siç kemi punuar me sistemin e drejtësisë për të verifikuar integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu po u kërkojmë udhëheqësve politikë, që të kontrollojnë dhe verifikojnë të gjitha kandidatët. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak”, deklaroi ajo.
Kryediplomatja amerikane nuk e tha drejtpërdrejtë, por në fjalim nënkuptoi se gjatë kësaj periudhe Ambasada e SHBA u ka ushtruar “presion” partive politike që të përmbushin detyrimet ligjore të dekriminalizimit.
"Çdokush ka një rol të rëndësishëm që të luajë në zhvillimin e demokracisë që shqiptarët duan dhe meritojnë. Ne gjithmonë kemi inkurajuar, madje edhe i kemi bezdisur drejtuesit e partive që të përmbushin detyrimet ligjore dhe të plotësojnë kërkesat e shqiptarëve për kandidatë të pastër. Të kontrollohen mirë kandidatët, populli shqiptar nuk duhet që të votojë për kriminelë”, tha Kim.
Ambasadorja foli në një konferencë të organizuar në lidhje me financimin e partive politike. Në këtë pjesë, Kim kërkoi transparencë jo vetëm të financave të partive, por edhe të pasurive të kandidatëve që ofrojnë.
“Partitë politike duhet të ndërmarrin seriozisht të gjitha hapat për të realizuar detyrimin që kanë për transparencën e financave të tyre. U bëjmë thirrje që të bëjnë transparente financimet për fushatë, si edhe deklarata e pasurive për të gjithë kandidatët”, tha Kim.
Në lidhje me çështjen e financimit të partive, foli edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ai thotë se kjo është një çështje delikate, që mund të cenojë edhe interesat dhe sigurinë kombëtare të vendit.
“Duhet vëzhguar shit-blerja e votës, financimi nga forca të jashtme, që rrezikojnë edhe sigurinë kombëtare”, tha ai.
Celibashi tha se Kushtetuta dhe kuadri ligjor përcaktojnë qartë rregullat e financimit të partive.
E pranishme në këtë tryezë ishte edhe opozita, përmes përfaqësuesit të Partia Demokratike, Ivi Kaso. Propozimi i PD-së është ngritja e një komisioni të përhershëm parlamentar dhe të drejtuar nga opozita që do të merret vetëm me financimin e partive në kohë fushate, ose jo.
“Është koha të vlerësohet krijimi i një komisioni të përhershëm parlamentar për financimin e partive, që duhet të drejtohet nga opozita”, tha Kaso.
Sipas idesë së opozitës, këtij komisioni duhet t’i jepen të gjitha kompetencat për të thirrur për raportim institucionet dhe aktorët e tjerë që përcaktojnë financimin e partive.
Për mazhorancën, ndërhyrja e radhës në Kodin Zgjedhor duhet të përqëndrohet tek dy elementë.
“Elementi i parë është nevoja e depolitizimit të komisioneve zgjedhore. E dyta, që është edhe me e rëndësishme është pikërisht transparente e plotë e financimeve e çdo partie politike dhe e çdo kandidati”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.