Politike

Infrastruktura në dorë të fondeve të BE, Rama: Ekspertë për t’i përthithur

Projektet e Qeverisë shqiptare në infrastrukturë, energji dhe digjitalizim synojnë të mbështeten kryesisht tek programi i financimit prej 29 miliard eurosh i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria synon që të përthithë sa më shumë prej këtyre fondeve, përmes paraqitjes së projekteve. Për këtë qëllim, Kryeministri Edi Rama ftoi ekspertët shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë vendit që të japin kontributin e tyre duke iu bashkuar një grupi pune ekspertësh që do të ngrihet nga Qeveria.

“Thirrje publike për ekspertët shqiptarë jashtë vendit që të integrohen në skuadrën e ekselencës që ne do të ngremë për projektet që të thithim fondet nga ky plan i madh me të hyrë në fuqi plani dhe miratimi i buxhetit nga BE, për të mundur që të shohim zbatimin në 2021-2023 si procese që përfshijnë faktikisht këtë mandat dhe këtë plan buxhetor të Komisionit Europian”, tha Rama.

Projektet që synohen janë më shumë se ambicioze, nga aeroporte, porte dhe rrugë. Rama citoi nisjen e procedurave për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, përsëriti zotimin për vënien në funksion të aeroportit të Kukësit para zgjedhjeve të 25 prillit, nisjen nga puna të aeroportit të Vlorës dhe e tre porteve në Durrës, Vlorë dhe Sarandë.

Në lidhje me Portin e Durrësit, gjatë punimeve të Asamblesë së PS-së, Rama tha se ai i mallrave do të zhvendoset në Porto Romano për t’u integruar si pjesë e zonës së lirë ekonomike. Rama tha se Qeveria është në bisedime me vende partnere, pa përmendur emrin e ndonjë shteti, por premtoi se këtu do të bëhet investimi më i madh privat i ndërmarrë ndonjëherë në Shqipëri.

“Jemi në diskutime të vazhdueshme me shtete të tjera dhe shpresojmë që të kemi një marrëveshje shtetërore për të sjellë aty një investim, që do të jetë investimi më i madh privat në Shqipëri në historiki, sigurisht me një formulë bashkëpunimi me shtetin”, deklaroi ai.

Në lidhje me portin aktual të Durrësit, Kryeministri u shpreh se ka ai ka një potencial të madh turistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë