Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Kryeministri Edi Rama bëri shkurtimisht bilancin e drejtimit të kësaj organizate nga Presidenca shqiptare, që prej 1 janarit të këtij viti. Rama tha se OSBE është një organizatë në krizë të thellë dhe për këtë fajësoi të 57 vendet anëtare të saj.
"Ne jemi në krizë, në një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga ajo vetë, nga strukturat, apo nga njerëzit e saj. Kjo gjendje është krijuar nga 57 vendet anëtare të OSBE. Supozohet që të kishim një vizion të përbashkët për një Europë demokratike të paqtë e të përbashkuar. Ky vizion po largohet prej nesh, sepse parimet tona nuk respektohen, se angazhimet tona nuk respektohen dhe ndasitë tona po rriten”, tha Rama.
Kryeministri nënkuptoi se vende të caktuara të organizatës zgjedhin përçarjen mbi bashkëpunimin.
“Kjo situatë duhet të na shqetësojë të gjithëve. Duhet të mbajmë parasysh edhe botën përtej OSBE. Një botë që jemi të shqetësuar për të ruajtur interesat tona. Jam i shqetësuar nga kriza e bashkëpunimit . Kemi dështuar të trajtojmë dobësitë dhe të përmirësojmë veten tonë, apo të trajtojmë krizat nga terrorizmi, ndryshimi i klimës, apo të drejtat e njerit”, u shpreh ai.
Rama tha se thirrjet e tij për bashkëpunim kanë rënë në vesh të shurdhër. Lidhur me punën e Shqipërisë në krye të kësaj organizate, Kryeministri foli me bindje se pavarësisht vitit të trazuar nga pandemia dhe me konfliktet në Bjellorusi, Ukrainë dhe Azerbajxhan, vendi ynë ja doli mbanë të mbajë një presidencë të suksesshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.