Politike

Dendias pritet me protesta, Idrizi: Rama, kali i Trojës i Greqisë në Tiranë

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shoqata “Çamëria” dhe Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë nisën protestën para Ministrisë së Jashtme, pak para se në këtë godinë të hynte ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Protesta u thirr me sloganet “Mos prek Shqipërinë”, “Mos harro Çamërinë” dhe Dendiasit i kërkohej njohja e çështjes çame, heqja e ligjit të luftës dhe jo shtrirjes me 12 milje detare të Greqisë në Jon.

Protestuesit u përpoqën të vendoseshin përballë godinës së Ministrisë së Jashtme, por u penguan nga forcat e shumta të Policisë së Shtetit, ku përplasjet nuk munguan. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se 22 protestues ishin shoqëruar pa shkak nga ana e forcave të policisë.

Nga ana e saj, Policia tha se nuk kishte dhënë leje për këtë tubim, duke cituar rregullat në fuqi anti-Covid.

Por, Idrizi fajësoi drejtpërdrejtë Edi Ramën si “tradhtar” që po u bindet kërkesave të Greqisë. “Edi Rama u kthyer nga kalorësi i Çamërisë në kalin e Trojës së Greqisë në Shqipëri. Sot ka avancuar vetëm agjenda greke, agjenda shqiptare nuk ka lëvizuar dhe fajin e kanë eunukët që qëndrojnë nëpër zyrat e shtetit shqiptar”, u shpreh ai.

Pas përplasjeve dhe tensioneve me policinë që vijuan për më shumë se dy orë, Shpëtim Idrizi ftoi mbështetësit e tij që të zhvendosnin protestën para godinës së Kryeministrisë, ku Dendias u takua me Ramën.

Forca të shumta policore u vunë në rrugët dhe urat përgjatë Lumit të Lanës për të parandaluar tubimin para Kryeministrisë. Policia bëri thirrje me megafon ndaj protestuesve që të shpërndaheshin, duke u kujtuar se nuk u ishte dhënë leja për protestën.

Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Boiken Abazi procedohen për tubime të paligjshme

Policia procedoi penalisht Shpëtim Idrizin, Mesila Dodën dhe Boiken Abazin si tre organizatorët e protestës së sotme të PDIU.

Ndërkohë, janë proceduar penalisht edhe 15 shtetas të tjerë, pasi protesta po zhvillohej në kundërshtim me masat anti-covid.

Mbi Shpëtim Idrizin, Mesila Dodën dhe Boiken Abazin rëndojnë akuzat për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë thonë se i kanë vendosur masat administrative përkatëse (gjobë), shtetasve që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Ndër të tjera, Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat parandaluese anticovid dhe iu bën thirrje të gjitha subjekteve politike të mos organizojnë tubime dhe grumbullime duke shkelur protokollet e sigurisë në dëm të shëndetit të qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë