Festa e Flamurit dhe ngritja e tij në monumentin e Pavarësisë në qytetin e Vlorës ka bërë bashkë Ilir Metën me Edi Ramën.
Presidenti dhe Kryeministri morën pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 108-vjetorit të Pavarësisë, duke vendosur kurora me lule.
Në këtë ceremoni merrte pjesë edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, deputetë të Qarkut dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor.
Në fjalën e shkurtër të mbajtur para gazetarëve, Kryeministri Edi Rama uroi veçanërisht Hashim Thaçin dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së që po përballen me akuza të rënda në Gjykatën Speciale të Hagës.
"Në këtë ditë është edhe dita e lindjes të komandantit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Dua të uroj festën e Flamurit dhe të Pavarësisë Hashim Thaçit dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së”, tha Rama.
Basha shmang debatin për Çlirimin: 28 Nëntori tjetër do të na gjejë më afër Europës
Pak pasi Ilir Meta dhe Edi Rama vendosnin buqeta me lule në monumentin e Pavarësisë në Vlorë, Lulzim Basha bëri të njëjtën gjë, por në Tiranë.
Kreu i demokratëve vendosi një buqetë me lule në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit” dhe në mesazhin e shkurtër të përcjellë me këtë rast shmangu debatin mbi datën e Çlirimit, duke uruar vetëm Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë.
“Sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me respekt para veprës dhe sakrificës të të gjithë bijëve dhe bijave të Kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe pavarësisë kombëtare”, tha Basha.
Kreu i PD-së thotë se kjo ditë feste e gëzimi e gjen vendin në një situatë të vështirë shëndetësore, ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia.
“Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pendamisë që na ka marrë qindra qytetarë duke lënduar mijëra familje, ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë. në këto kushte kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë. unë jam i bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë për të qenë së bashku dhe tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe për të dalë më të fortë”, tha ai.
Basha e mbyll mesazhin me bindjen se 28 Nëntori 2021 do të gjejë një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës.
Kryetarja e LSI-së nga ana tjetër ndodhej në Vlorë, ku vendosi një buqetë me lule tek Monumenti i Pavarësisë. Mesazhi i saj në këtë ditë ishte bashkimi i shqiptarëve për të ndaluar, siç tha Kryemadhi, shpopullimin dhe mbytjen nga varfëria dhe mungesa e shpresës në vend.
“Sot më shumë se kurrë kjo ditë duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve për të ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë shpopullim të mbrapshtë që ka nisur në Shqipëri. Sot më shumë se kurrë, edhe ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë, për të përballuar këtë evazion të shpopullimit dhe këtë mbytje të varfërisë dhe të mungesës së shpresës, me bashkimin të gjithë bashkë, për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë që ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve”, deklaroi kryetarja e LSI-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.