Kosova

Lista Serbe: Asociacioni, i nevojshëm për mbijetesën e popullit serb. Të ketë kompetenca ekzekutive

Lista Serbe tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se i njëjti duhet të formohet, pasi është obligim që Kosova ka marrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Përmes një njoftimi për media, Lista Serbe tha se përfaqësuesit e saj morën pjesë në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë lidhur me Asociacionin.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se Asociacioni është i nevojshëm “për mbijetesën e popullit serb” dhe se formimi i tij është kërkesë e serbëve në Kosovë.

“Veçmas theksuam se është e nevojshme që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, gjegjësisht siç është rënë dakord në Bruksel gjatë negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se krijimi i tij është një obligim që nuk duhet shmangur, sepse duhet të jetë një institucion ombrellë për popullin serb, që do të mbrojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit tonë”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.

Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç tha se nuk pret që Asociacioni të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Gjithashtu pretendoi se kompetencat e tij dihen dhe janë përcaktuar që në vitin 2015.

“Në një nga takimet tona, u tha qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë menjëherë në fillim të vitit 2023, domethënë janar dhe shkurt, për krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Pritshmëria ime është edhe një herë që Asociacioni i komunave serbe të jetë në përputhje ekskluzivisht vetëm me marrëveshjen e Brukselit dhe në përputhje me atë që është përcaktuar në vitin 2013 kur u nënshkrua marrëveshja e Brukselit dhe në vitin 2015, kur me marrëveshje u përcaktuan kompetencat e Asociacionit të komunave serbe”, tha kryeministrja serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë