Kosova

‘Asociacioni’, Hovenier: Kundër ngjashmërisë me republikën serbe të Bosnjës

Gazeta Si - Ambasadori amerikan i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me anë të një deklarate për mediat ka zbuluar se për çfarë është biseduar në takimin dyorësh mes partive shqiptare dhe serbe në lidhje me Asociacionin e komunave serbe.

Duke vlerësuar qëndrimet e dhëna nga palët, Hovenier ka vënë edhe pikat mbi “i” sa i përket formës që duhet të ketë Asociacioni, duke theksuar se nuk do ta pranojnë, nëse bie ndesh me Kushtetutën.

“Edhe pse disa zyrtarë të ShBA-ve tashmë e kanë thënë këtë, dëshiroj që sërish të qartësoj qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Nuk mbështesim asnjë marrëveshjem që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës. Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i ngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”, - deklaron Hovenier.

Ai thekson se pret që Kosova të përmbushë detyrimet e saj përballë plotësimit të kërkesave të ndërkombëtarëve si përmbushje të marrëveshjeve me Serbinë.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një AKShS (Asociacioin) që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.

Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente. Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve”, - thuhet në deklaratë.

Më tej ai thekson se “diskutimi ynë pra u përqendrua në tri tema. Një, si mund të funksionojë AKShS-ja në praktikë? Pjesëmarrësit ngritën një varg temash, duke përfshirë pikëpamjet rreth përgjegjësive dhe kufizimeve të mundshme të një Asociacioni.

Dy, si mund të funksionojë një Asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës? Dëgjuam këndvështrime për Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Tre, si mund një AKShS të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efikas të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë?”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë