Lajme

Lirohet biznesmeni shqiptar Edmond Bego

Autoritetet greke lirojnë nga burgu biznesmenin shqiptar, Edmond Bego, ish i dënuar për trafik droge, i akuzuar nga Italia për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Ai u arrestua pak ditë më parë teksa kthehej nga pushimet në Korfuz, për llogari të shtetit italian.

Lirimi i tij erdhi pas një përgjigjeje të kthyer nga pala italiane. Interpol Roma ka konfirmuar se Edmond Bego nuk ka çështje të hapur në Itali.

Çështja e biznesmenit shqiptar trazoi ditët e fundit jo pak edhe politikën shqiptare.

Opozita akuzoi deputetin socialist Taulant Balla si partner biznesi me të. Balla i pranoi njohjet familjare me të, por u shpreh se nuk i është ofruar mburojë politike.   

Edmond Bego, pronar i disa bizneseve në Shqipëri u ndalua në Greqi më 18 gusht.

Ai mbahej në paraburgim në Korfuz, që nga momenti i ndalimit, ndërkohë që kishte deklaruar gjatë arrestimit se i kishte shlyer detyrimet e tij dhe se po e akuzonin padrejtësisht.

Pas lirimit të biznesmenit nga autoritetet greke, ka folur edhe avokati i tij, Ardian Leka.

Sipas Lekës, ndalimi i Begos ka qenë një gabim i autoriteteve greke në doganë ashtu siç ndodh me çdo shtetas shqiptar që kalon kufirin.

“Edmond Bego ka dalë nga burgu dhe tani po bën tërheqjen e sendeve personale në komisariatin e policisë. Kjo situatë u krijua për efektet e gabimeve të sistemeve greke. Kjo nuk është një situatë e re. Autoritetet greke u nxjerrin shpeshherë shtetasve shqiptarë. Çdo ditë në kufi krijohen radha kilometrike për shkak të problemeve që iu nxjerrin edhe personave pa precendentë. Megjithatë situata u qartësua nga autoritetet italiane”, tha Leka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë