Rend dhe Ligj

Lirohen nga burgu tre anëtarë të grupit “Bajri” në Shkodër

Gjykata e Shkodrës ka shuar masën e sigurisë “arrest me burg” për disa anëtarë të grupit “Bajri”.

Është shuar masa “arrest në burg” për Safet Bajrin, duke urdhëruar qëndrimin në burg vetëm për Vendimin Penal të formës së prerë, i cili është 9 vite burg, për shkak të një dënimi të dhënë nga drejtësia belge, për trafik droge dhe prostitucion.

Janë liruar nga ambientet e paraburgimit edhe Ismet Idrizi, Asmer Bilali dhe Samet Halluni.

Po ashtu janë zgjatur afatet e paraburgimit për Behar Bajrin dhe Ilir Bajrin.

Gjithashtu masa e sigurimit është zëvendësuar edhe për Emrah Plakun dhe Jorida Muratin, nga “arrest shtëpie” në detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore.

Trupa gjykuese që mori vendimin mbi grupin “Bajri” përbëhej nga Besmir Stroka, i cili ka pranuar sot kërkesën e avokatëve mbrojtës Arben Hoxha dhe Sokol Tahiraj.

Grupi Bajri

Safet Bajri u arrestua në Tiranë në shtator 2018, me kërkesë të autoriteteve belge. Në Belgjikë ai është dënuar dy herë, fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg. Sipas policisë belge, Safet Bajri ka qenë njeriu që kontrollonte tregun e prostitucionit në Bruksel.

Ilir Bajri, vëllai i Safetit, Ismet Idrizi dhe Asmer Bilali u arrestuan më 6 shtator 2018, në Shkodër pas aksionit policor të koduar “Oaz”.

Aktiviteti i bandës “Bajri” shtrihej në Belgjikë, Holandë dhe Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë