Politike

Lirimi i Tahirit, Basha: Drejtësia është kapur nga politika

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideroi lirimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si mbyllje të paktit mafioz, si kapje të drejtësisë dhe si goditje e rëndë e integrimit europian të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediet, kryetari i PD-së, Basha shton se “lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin europian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë”.

Po ashtu, Basha e konsideron emergjente vënien para drejtësisë të ish-ministrit Tahiri. “Nxjerrja e Saimir Tahirit para drejtësisë është kërkesë specifike për hapjen e negociatave për disa qeveri europiane, të cilat e kanë informuar qartë dhe direkt Edi Ramën për këtë gjë”, – u shpreh Basha.

Basha shtoi se lirimi i Saimir Tahirit, tregoi se drejtësia është e kapur nga politika. “Lirimi i Tahirit tregon se drejtësia është tashmë nën kontrollin e plotë të politikës. Kapja totale e Prokurorisë, shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe paralizimi i Gjykatës së Lartë janë garancia më e madhe që Edi Rama ofron për të gjithë kriminelët dhe pushtetarët e lidhur me krimin”, – tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë