Ngjarje

Liridona Ademaj rivarroset sot në fshatin e saj të lindjes. Familjarët kërkojnë privatësi

Nga Gazeta ‘Si’- Pasi u pranua kërkesa e familjarëve të saj pasditen e djeshme, Liridona Ademaj do të rivarroset sot (4 dhjetor) në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e Liridona Ademajt përmes një postimi në Facebook.

“Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamirë se rivarrimi i vajzës sonë Liridona Ademaj, e vrarë më datën 29.11.2023, bëhet nesër më datë 4 dhjetor 2023, në varrezat e fshatit Rracaj, në ora 14:00”, thuhet në njoftim.

Familjarët e të ndjerës në kërkesën me shkrim që i dërguan prokurores Besa Limani për të lejuar zhvarrosjen dhe rivarrimin, gjithashtu kanë kërkuar që gjatë procedurës, përmes policisë, të ju sigurohet privatësi e plotë.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor në Prishtinë. Në mesin e tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares është edhe burri i saj, Naim Murseli.

Në seancën dëgjimore të mbajtur të dielën, Gjykata Themelore e Prishtinës u caktoi nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve, dhe të njëjtit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë