Kosova

Krimi në Kosovë, ish-këshilltari i Pacollit arrestohet si i përfshirë në vrasjen e gruas së tij. Autori i dyshuar: Naimi më pagoi 30 mijë euro!

Gazeta Si - Ish-këshilltari i Behgjet Pacollit, Naim Murseli është arrestuar nga Policia e Kosovës. Burime të "Indeksonline" bëjnë të ditur se ai dyshohet se porositi vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Murseli dy ditë më parë, duke inskenuar një grabitje me armë zjarri.

Sipas shtypit kosovar, në pranga ka rënë edhe një person tjetër, Granit Plava, i cili dyshohet se është vrasësi që qëlloi ndaj Liridona Murselit.

Ai është arrestuar së bashku me Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, i cili po ashtu dyshohet të jetë bashkëpunëtor në krim. Naim Murseli dhe Granit Plava janë bashkëfshatarë me njëri-tjetrin

Çifti Murseli

Sipas mediave të Kosovës, Granit Plava dhe Naim Murseli janë arrestuar të dy në Gjakovë. Autori i dyshuar Granit Plava, ka rrëfyer në polici se ka qenë Naim Murseli ai i cili ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij dhe për këtë krim i ka premtuar 30 mijë euro, një pjesë të të cilave ia kishte dhënë paraprakisht.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë“, tha në një reagim zyrtar policia e Kosovës.

Nga kjo e fundit nuk ka shumë detaje ende, ndaj mbetet për t’u parë se cilat janë provat që i çuan hetuesit tek dy autorët e dyshuar.

Besohet se policia ka mundur të sigurojë pamjet kur dy autorët e dyshuar takohen para krimit. Edhe komunikimi i fundit në telefon i Murselit rezulton të jetë pikërisht me personin e pajtuar prej tij.

Granit Plava

Dy ditë më parë u raportua se familja Murseli ra pre e një grabitjeje të armatosur në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ku e vdekur mbeti gruaja.

Sipas asaj që dihet deri tani, Liridona Murseli u ndalua nga një grabitës, teksa ishte duke udhëtuar me makinë me bashkëshortin dhe fëmijët e mitur.

Ai iu rrëmbeu portofolat dhe telefonat dhe më pas qëlloi me armë zjarri drejt makinës, ku plumbi kapi Liridona Murselin, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Nuk dihen shumë detaje se çfarë ka ndodhur në të vërtetë atë natë, ndërsa hidhen dyshime dhe se mund të mos jetë vepër e grabitësve, por mund të jetë krim i mirëorganizuar i dyshuar nga mosmarrëveshje familjare.

Naim Murseli gjatë ceremonisë mortore të bashkëshortes

Ngjarja me të drejtë të kujton rastin “Babis”, pilotit grek i cili vrau bashkëshorten e tij 20-vjeçare dhe e inskenoi si grabitje që kishte shkuar keq, ngjarje e ndodhur në maj 2021.

Por teksa në rastin e Babis Anagnostopoulos hetuesve iu desh një muaj për të zbuluar të vërtetën, në rastin e Murselit “shfaqja” zgjati shumë pak.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe Naim Murselit iu desh që ta luante rolin dhe këtë të premte të shfaqej para kamerave, teksa përcillte për në banesën e fundit nënën e dy fëmijëve të tij.

Diku me zemrën në dorë, e në tjetër moment me dorën mbi arkivolin e Liridonës, Naim Murseli shfaqej i pikëlluar në varrimin e 30-vjeçares.

Momentalisht nuk është e qartë se cili është shkaku i këtij krimi që tronditi mbarë opinionin publik.

Çifti mësohet se kishin 12 vite të martuar. Vetë Liridona në profilin e saj në Instagram, shkruante: “Familja është gjithçka”.

Naim Murseli kishte punuar si këshilltar i Behgjet Pacollit. Ky i fundit në një reagim në rrjetet sociale, mes të tjerash shkruante “kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë. Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj. E pabesueshme dhe e trishtueshme. Jam ende i shokuar!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë