Ngjarje

‘E kujtojnë me mall, burri dhe fëmijët’. Porositi vrasjen e i organizoi varrimin, Naim Murseli pranon planin: Pagova 15 mijë euro para krimit, 15 mijë do t’ia jepja pas

Nga Gazeta Si- “Një akt i pa parë për traditën tonë”. Kështu është cilësuar vrasja e Liridona Murselit mbrëmjen e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë të Kosovës.

Liridona Murseli ishte nisur për në shtëpi së bashku me dy fëmijët e saj të mitur dhe bashkëshortin e saj, nga i cili u pre në besë në mënyrën më makabër, duke i marrë jetën në sy të fëmijëve.

Vrasja e Liridona Murseli dhe mënyra si është kryer ka tronditur mbarë opinionin publik, jo vetëm në Kosovë. Policia ka arrestuar deri në këto momente bashkëshortin, Naim Murseli i cili akuzohet se ka porositur vrasjen për 30 mijë euro, vrasësin Granit Plavën si dhe Kushtrim Kallakun, nipin e Naimit pasi akuzohet se ka bashkëpunuar në këtë krim.

Naim Murseli ka pranuar në Polici se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Murseli. Mediat kosovare bëjnë të ditur para hetuesve, Murseli ka pranuar që i ka dhënë të dyshuarit Granit Plava 15 mijë euro para vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së krimit.

Naim Murseli u arrestua një ditë më parë, pas varrimit të bashkëshortes së tij, së bashku edhe me një të dyshuar tjetër, i cili rrëfeu para prokurorëve se Murseli e ka paguar ta kryejë vrasjen.

Në mbrëmje vonë u njoftua se një person i tretë u arrestua lidhur me krimin. Ai është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së dhe nipi i Naim Murselit.

Pas arrestimit të Naimit, babai i tij, Shaban Murseli njoftoi se për shkaqe familjare ishin anuluar të vizitat për Liridonën.

Ndërkohë policia njoftoi se kishte kryer bastisjen në dy lokacione në Gjakovë nga ishte dhe Musliu dhe se kishte sekuestruar dhe armën e krimit.

Pas kësaj, mediat kosovare raportojnë se familjarët e viktimës kanë kërkuar zhvarrosjen e Liridona Murselit nga fshati i Naim Murselit dhe varrosjen në fshatin e lindjes.

Si ndodhi ngjarja?

Atë natë, bashkëshorti i të ndjerës ka deklaruar në polici se kishin rënë pre e një grabitje, ku ai së bashku me fëmijët kanë mundur të largohen nga makina, ndërsa bashkëshortja e tij jo.

Kjo pistë u mbështet edhe nga babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, i cili pasi varrosi nusen e të birit në varrezat e familjes, deklaroi për median një version të tij se si ka ndodhur ngjarja gjatë grabitjes.

Ai tha se reja e tij kishte rezistuar ta dorëzojë çantën e saj ku kishte disa para dhe se “s’ka mundur të ikë meqë është ngatërruar pak me rripin e sigurimit në veturë”.

Babai i Naim Murselit.

“Versioni më i saktë është që ka rezistuar për të dorëzuar çantën e krahut, aty i ka pasë ca të holla, një shumë të konsiderueshme të të hollave. I ka shtyrë fëmijët nga makina edhe në gjuhën suedeze iu ka thënë “ikni”. Por, mesa duket është ngatërruar pak edhe me rripin e sigurimit”, deklaroi me gjakftohtësi vjehrri i saj, pak pasi 31 vjeçarja u varros.

Pas ceremonisë mortore, ku videot dhe fotot e shumta tregonin Naim Murselin duke pritur ngushëllime me dorë në zemër dhe kokën ulur, Policia e Kosovës njoftoi arrestimin e Naimit, si i dyshuari kryesor i vrasjes së 31-vjeçares, e më pas edhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dy të afërm, që e njihnin mirë viktimën.

Vetë i vëllai i Kokallës ka deklaruar për mediat kosovare se nuk beson se i vëllai është i përfshirë në vrasje, duke qenë se ai ishte shumë i lidhur me të ndjerën.

“Nuk besoj të jetë i përfshirë se ne jemi shumë të lidhur me familjen e Liridonës. Ne jemi rritur bashkë”, ka thënë ai.

Ajo që u raportua si grabitje, tani po hetohet si vrasje e rëndë.

Në mediat kosovare shkruhet se ish-këshilltari i Behgjet Pacollit ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e gruas te i dyshuari Granit Plava. Edhe ky i fundit ka pranuar se për të kryer vrasjen Murseli i ka premtuar 30 mijë euro në këmbim të vrasjes së gruas së tij.

Burime bënë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit Plava, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.

Vrasja ka shokuar tre familjet, Murselin, Kallakun dhe Ademin, marrëdhëniet e të cilave nuk do të jenë më kurrë si më parë.

Vetëm pak orë pas arrestimit të  bashkëshortit të të ndjerës, familjarët e tij raportuan se kanë anuluar pritjen.

“Shokë dhe miq, për shkaqe familjare me keqardhje e bëjmë anulimin e të pames. I falenderoj të gjithë për pjesëmarrjen në varrim” , shkroi mbrëmë babai i Naim Murselit në rrjetet sociale.

Gazeta Sinjali në Kosovë ka mësuar se me t’u anuluar pritja, prindërit e Naim Murselit kanë vendosur të kthehen në Suedi ndërkohë që familja Ademaj i ka dhënë familjes Murseli dy ditë besë.

Vëllai i Liridonës, Liridon në një postim në facebook i ra kryq mbiemrit të Murselit, duke thënë se motra e tij nuk do të prehet në varret e familjes së bashkëshortit.

“S’ka pas problem, asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Po është e vërtetë, do zhvarrosim trupin e saj nga atje, me dashje ose pa dashje. I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”, ka deklaruar Ademaj për Insajderin.

Çifti kishte aplikuar për divorc që në 2019

Në një dokument që ka siguruar Gazeta Express thuhet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc përpara autoriteteve suedeze në janar të vitit 2019.

Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, meqë brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri s’kishin shkuar për të konfirmuar se duan divorcin.

Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të pushuar çështjen nga procedimi i mëtejshëm.

“Më 31 janar 2019, Liridona Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci.Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit. Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, shkruan Gazeta Express.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë