Kosova

1 muaj paraburgim 3 të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. I vëllai: Fëmijët ende nuk e dinë që nëna e tyre ka vdekur

Nga Gazeta 'Si'-Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën me një muaj paraburgim ndaj Naim Murselit dhe bashkëpunëtorëve Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli.

Ky vendim është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti, pas kërkesës së Prokurorisë të shqyrtuar nga Prokurorja Besa Luma. Në vendim është thënë se ekziston dyshimi i bazuar për përsëritje të veprës penale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës.

Derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, është thënë në komunikatë.

Seanca nisi në orën 9:30 dhe ishte e mbyllur për mediat.

Afër gjykatës janë parë familjarë të Liridonës, por ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.

Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës. Ai ka shtuar se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.

Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj

"Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu", ka thënë vëllai i saj, pas seancës.

Ai shtoi se fëmijët nuk e kanë kuptuar ende se ju ka vdekur nëna.

“Nuk ka pasur ditë bese, ne besojmë në drejtësinë e Kosovës. Me fëmijët kemi pasur kontakt, ata janë mirë. Janë duke u përkujdesur prindërit e Naimit”, ka thënë Ademaj.

Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Pas arrestimit, Betimi për Drejtësi – media e specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje. Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës dhe është bërë thirrje për zbardhjen e rastit.

Me thirrjet kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore – duke marrë shkas rastin e Liridonës – do të protestohet në mesditën e së dielës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë