Filma

“Liqeni” i Gjergj Xhuvanit buzë Liqenit Artificial

Ai e dha frymën e fundit, ndërsa lëmonte detajet e filmit “Liqeni im”. Në botën e artistit historitë mund të kenë fund shpresëplotë, si ai i Kristos që zhytet në të thellat e liqenit dhe të trafikut dhe arrin të dalë në breg, ndërsa i biri Kostandini do t’i jepte  lamtumirën të atit, me pranga në duar...

Liqeni, ashtu si në ëndrrat e personazhit të trilluar të kinemasë së tij, “se mund të japë gjithçka, nëse dimë ta pyesim”, e  solli të gjallë qoftë edhe për një natë buzë një tjetër liqeni, atij Artificial të Tiranës,  në ceremoninë e çeljes së edicionit të 18-të të Tirana International Film Festival (TIFF).

Një homazh dedikuar kineastit, që u nda nga jeta në moshën 56 -vjeçare në Romë, duke lënë pas një trashëgimi kinematografike të shtrirë në më shumë se tri dekada.

Agron Domi në ceremoninë hapëse të edicionit 18, të TIFF

“Ishte vendimi më i lehtë që kam marrë ndonjëherë në ceremoninë e hapjes”, rrëfen themeluesi i TIFF, Agron Domi, ndërsa shpjegon se planet për ta sjellë filmin e fundit të Xhuvanit ishte i një viti  më parë, por distribucioni i prodhimit kinematografik nuk e lejoi që Tirana, vendi ku u lind dhe zhvilloi karrierën kineasti, të bëhej vendi i premierës absolute. “Kështu, pritëm një vit”, ka rrëfyer Domi, ndërsa emocionet u ndanë mes miqsh të të ndjerit, kineastë e dashamirës të Festivalit të Filmit, që i rikthen kinemanë qytetit pas muajsh karantinë, megjithëse atë verore në ajër të hapur, në hapësirën e Amfiteatrit të Liqenit.

https://www.facebook.com/1567691873/videos/10224525872085456/?extid=lGTU3boattIbty2e

“Filmi “Liqeni im” i Gjergj Xhuvanit na mblodhi në Amfiteatrin e Tiranës, për të nisur një maratonë të bukur të filmit. Një homazh për artistin, që na la pas një pasuri të tërë filmike dhe mesazhin e dashurisë për artin, për jetën. Ceremonia e hapjes së Tirana International Film Festival ishte ajo çka na duhej për  t’iu larguar sado pak me mendje pandemisë e për të shijuar sërish magjinë e filmit në një kinema të hapur”, do të shkruante ministrja e Kulturës, Margariti, ndërsa njoftonte se çdo pasdite amfiteatri do të jetë i hapur për të shfaqur filma.  

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në natën e parë të TIFF

Sipas organizatorëve të TIFF, deri më  25 shtator, kur është edhe nata finale e ndarjes së çmimeve të këtij edicioni që e kthen kryeqytetin në një pikë në hartën e festivaleve botërorë të filmit, çdo mbrëmje do të shfaqet një film, ndërsa pjesa tjetër  është menduar të realizohet online.

Sipas organizatorëve këtë edicion  të TIFF do të shfaqen 230 filma të përzgjedhur  nga 2400 aplikime dhe 120 të tillë në konkurrim, në të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike përfshirë edhe filmin shqip.

Filma të tjerë shqiptarë përveç “Liqeni im” i Xhuvanit , janë “Exile” nga Visar Morina, “Zana” nga Antoneta Kastrati, si edhe “News” nga Lorin Terezi,  i nominuar per Best Short Oscar qualifying.Festivali përmbyllet me premierën kombëtare  të filmit “Ëilloë”  të regjisorit të njohur

Milcho Manchevski, fitues i Venecias me “Before the Rain” dhe kandidat për “Oscar”.  Një tjetër film në kategorinë “Reflecting Albania” është edhe një dokumentar i argjentinases  Lucrecia Oviedo,  si një homazh për Minella Borovën, titulluar  “Njollë e bardhë ”,  aktori shqiptar që ndërroi jetë në Buenos Aires, më 2013-n.

...Në një tjetër liqen, larg atij artificialit të Tiranës, në Prespën e bukur, që ndan aq sa edhe bashkon tre vende; Shqipërinë, Maqedoninë dhe  Greqinë , i riu  Kristo përdor varkën e tij për të kontrabanduar drogë. Njohja e mirë e liqenit ia bën edhe më të lehtë transportin, në kufirin lindor.

Mes zhvillimeve të subjektit, nga dashuria për mësuesen e tij tek implikimi më i thellë në trafikun e drogës, Kristoja bën zgjedhjen e jetës duke i vënë flakën parave të trafikantëve të drogës, duke zgjedhur arsimin. Një mesazh i Xhuvanit për të gjithë të rinjtë, në Shqipërinë e etiketuar shpesh nga mediat ndërkombëtare, si një mbretëri e kultivimit të drogës dhe trafikut të saj jashtë vendit. Vetëm pak ditë  më parë, hetimi i Europol për kartelin shqiptar të drogës të njohur si  “Los Blancos”, e riktheu edhe njëherë vendin në kryetitujt e mediave botërore, për keq.

Por liqeni di të japë më shumë se shtigje të errëta trafiqesh. Gjergj Xhuvani e dinte këtë nga liqeni i  të atit, nga Ohri e Prespa e Pogradecit, që ua zhvilloi shpirtin artistik.

Liqeni mund të t’i japë të gjitha, duke e rikthyer në jetë përmes veprës, qoftë edhe për një ditë kineastin, që u nda beftë nga jeta vitin e kaluar, teksa punonte mbi filmin në fjalë. “Liqeni” i tij tashmë nuk do të kujtohet si filmi në fund të të cilit ndërroi botë, por një kremtim për jetën dhe kinematografinë shqiptare që përpiqet të mbijetojë e t’i sjellë publikut artin e shtatë, me shtrëngesat infrastrukturore dhe financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë