Njerez

Lindjet ranë me 8.2% në tremujorin e dytë. Gjirokastra qarku me numrin më të ulët

Nga Gazeta ‘Si’- Njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë të këtij viti.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se bebet e lindura në tremujorin e dytë ishin 8.2% më të ulëta në numër se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Numri i lindjeve për muajt prill-qershor ishte 5.119.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.846 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 84 lindje.

Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë e ka qarku i Vlorës me 2.4 %, ndërsa rënien më madhe e ka qarku i Beratit me 19.2 %.

Megjithatë shtesa natyrore ishte pozitive pasi vdekjet ishin më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit më parë, përkatësisht 4.654 të tilla, me një rënie prej 8.1%.

Gjatë tremujorit të dytë regjistruam 465 lindje më shumë se sa vdekje. 

Gjatë kësaj periudhe pesë qarqe të vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 699 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 184 vdekje më shumë se sa lindje.

Vdekjet frenohen me kalimin e pandemisë

Gjatë tremujorit të dytë, njëmbëdhjetë qarqe të vendit kanë shënuar ulje të numrit të vdekjeve.

Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 97 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.147 vdekje.

Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të dytë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, e zë qarku i Durrësit me rënie prej 17.6 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë