Lajme

Lihet në burg gardisti që vrau gruan

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg gardistin Alket Arapaj, i cili tri ditë më parë vrau gruan e tij me armën e shërbimit.
Në seancën e zhvilluar te Gjykata e Krimeve të Rënda, mediat janë lejuar vetëm në nisje të seancës. Ka qenë prokurori Besnik Muçi që ka kërkuar që seanca gjyqësore të zhvillohet me dyer të mbyllura. Pasi ka dëgjuar palët, gjykatësi ka vendosur të lërë në burg 44-vjeçarin.
Shkak për vrasjen dyshohet xhelozia, pasi Arapaj ka deklaruar se kishte dyshime se e shoqja takohej me persona të tjerë kur ai ishte në punë.
Ngjarja
44-vjeçari Alket Arapi, punonjës i Gardës së Republikës, mëngjesin e 12 shkurtit vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36 vjeç, Ervilma Seferaj.
Kanë qenë banorët e pallatit që kanë sinjalizuar policinë për ngjarjen. Menjëherë pas kësaj kanë mbërritur efektivët e komisariatit, të cilët e kanë ndaluar brenda banesës 44-vjeçarin.
Çifti kishte dhe një vajzë 3-vjeçare, e cila është gjendur në dhomën ngjitur me ambientin ku ishte kryer krimi.
Dyshimi i ngritur nga hetuesit është konflikti i çastit, por nuk është përjashtuar as xhelozia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë