Politike

Rama: Ka perënduar koha kur Presidenti bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë. Basha: Rama frikë nga komisionet hetimore

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore Parlamentare, duke refuzuar thirrjen e opozitës për ta kthyer mbrapsht në parlament.

Në një postim në rrjetin social X, Rama shkruan se “Ka perënduar me kohë koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov, siç do të mbarojë po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!

Ky vend është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë në çdo aspekt drejt #Shqipërisë2030.

Prandaj Shqipëria s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij,  rikthimin e kohës së vdekur”, thuhet në njoftimin e Ramës.

Ndërkohë ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke thënë se “makinacionet e Ramës për ti pamundësuar opozitës komisionet hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta”.

“Makinacionet e Edi Ramës për ti pamundësuar opozitës transparencën e aferave korruptive përmes komisioneve hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta. Por transparenca për aferat korruptive ku është zhytur sot qeveria, që po varfëron dhe detyron shqiptarët të largohen do të bëhet me patjetër. 

Sot gjysma e qeverisë është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar, së shpejti do të japin llogari për aferat e tyre korruptive.

Kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, kartonat e Edi Ramës nuk e ndalin dot”, thotë Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë