Politike

Ligji i ri për duhanin, deputetët rrëzojnë Beqajn: Kuvendi e shkel i pari

Një seancë e qetë parlamentare ishte ajo e së hënës, ku deputetët më tepër u fokusuan në fjalimet e tyre në përshendetjet për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe te mbledhja e donatorëve në Bruksel. Shkaku i kësaj qetësie duket se ishte fakti se në sallë mungonte kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e ministrave, si dhe rendi i ditës nuk kishte çështje të nxehta politike.
Çështja që pati më shumë “debate” ishte ligji i paraqitur nga deputeti i PS-së, Ilir Beqaj, i cili propozon që në Shqipëri pas dy vitesh të shiten paketa të cilësuara “Pictorials”, me fotot paralajmëruese për dëmet që shkaktohen nga duhani. Gjithashtu firmat do të shesin nga maji i 2022 paketa duke i hequr markën; e për këtë ka filluar që të zbatohet edhe paketimi i thjeshtë, (plain packaging) i cili quhet ndryshe eclhe paketim standard, neutral, gjenerik apo homogjen.
Gjatë diskutimeve të tyre deputetët e mazhorancës dhe opozitës shprehën skepticizmin e tyre se kjo do të sjellë një ulje të përdoruesve të duhanit. Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari kërkoi që kjo nismë të mos votohet dhe të rishikohet, pasi nuk do të ketë asnjë ndikim.

Deputeti Ilir Beqaj gjatë paraqitjes së nismës në komisionet parlamentare. Gazeta "Si" 17 shkurt 2020


Deputetët Kujtim Gjuzi dhe Besnik Baraj në diskutimet e tyre u shprehën se ndonëse kërkohet zbatimi i ligjit të duhanit, janë vetë deputetët dhe administrata që lejojnë të tymosin në ambientet e administratës. “Deputeti Beqaj ka arritur të punojë mirë jashtë Parlamentit për ligjin e duhanit, por këtu nuk ia ka arritur, pasi ligji shkelet në ambientet e Kuvendit”, u shpreh socialisti Bare.
Duke folur në emër të grupit të PS-së, Bare u shpreh se nuk do të ketë ndonjë vlerë miratimi i këtij projektligji. “Edhe pse jam dakord në parim me ligjin, dyshoj në praktikën e zbatimit të tij. Ajo që unë doja t’i jepja prioritet, janë masat edukative, sensibilizuese, veçanërisht rolin e shkollës sonë dhe të medias në drejtimin e shkurajimit të përdorimit të duhanit. Që në shkollën fillore duhet të jetë pjesë e mësimdhënies, në mënyrë që realisht të bëjmë të ndërgjegjshëm brezin e ri, që duhani vret”, tha ai.

Paketa paralajmëruese me foto të frikshme që synojnë ulin numrin e duhanpirësve. Gazeta "Si" 17 shkurt 2020


Projektligji në fjalë u rrëzua me 75 vota kundër 8 vota pro dhe 7 abstenim. Këtu siç duket ka ndikuar edhe fjala e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila bëri të ditur se në shkurt do të nxjerrin aktet normative për ligjin kundër duhanit. Në momentin e votimit, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi rrëzimin e nismës së deputetit socialist, Ilir Beqaj.
Më pas në rendin e ditës u votua edhe ligji për “Për produktet plehëruese”. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për këtë projektligj foli Ardit Konomi i cili tha se: “Qëllimi i këtij projektligji është garantimi i shëndetit të njerëzve pikësëpari dhe të kafshëve, si dhe mbrojtja e mjedisit nga përdorimi i produkteve plehërues, rritja e efikasitetit në të ushqyerit e bimëve me elemente ushqyese, si dhe përmirësimi i cilësive fiziko-kimike dhe të pjellorisë së tokës. Objektivi që synohet të arrihet është përcaktimi i rregullave për prodhimin, regjistrimin, tregtimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë, gjurmueshmërinë, informimin, reklamimin dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me produktet plehëruese si dhe organizimin e funksionimin e strukturave përkatëse”. Projektligji në fjalë u miratua me 81 vota pro 10 kundër dhe 3 abstenim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë