Taksa

Pse paketat e cigareve u rritën me 10 lekë këtë fillimviti?

Konsumatorët e duhanit janë përballur me rritjen e çmimit të paketave të cigareve me 10 lekë këtë fillimviti.

Pavarësisht se paketa fiskale e 2020 nuk pati rritje të taksave, por siç u deklarua edhe nga Ministrja e Financave Anila Denaj, “Ky projektligj është një vazhdim i paketës së vjetër me fokus administrimin”, kalendari i akcizës 2017-të parashikonte një rritje të akcizës me 5 lekë të cigareve.

Këtë e kanë sqaruar edhe shitësit me shumicë të paketave, të cilët kanë përllogaritur TVSH-në mbi rritjen 5 lekë, e cila ka rritur çmimin fundor të një pakete me 10 lekë.
Referuar paketës fiskale të vitit 2017, qeveria do të miratonte në atë kohë një kalendar për rritjen e akcizës vit pas vit deri më 2021.

Kalendari i miratuar asokohe detyronte që akciza në vitin 2020 do të ishte 6250 lekë për 1000 copë cigare nga 6000 lekë që në vitin 2019-të.

Referuar kalendarit në fuqi, më 2021 akciza për 1000 copë cigare shkon në 6500 lekë duke bërë që çmimi fundor i një pakete të rritet po me 10 lekë të tjera.

Të gjitha qeveritë e kanë argumentuar rritjen e akcizës për cigaret si një politikë për të ulur konsumin pasi sjell pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve.

Ministria e Financave ka sqaruar se “me qëllim përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e Bashkimit Europian që përcakton nivelin minimal të akcizës për cigaret të paktën 90 euro për 1000 cigare, riskedulimi i rritjes siguron një politikë të qëndrueshme taksimi sipas standardeve të BE-së.”.

Ku kushton një paketë Marlboro më shumë në nivel global?

Shqipëria renditet në ato vende ku një paketë cigare nuk është e shtrenjtë.
Vendi ynë renditet i 64-ti nga 98 vende të listuara në numbeo.com.

Ausrtralia është vendi ku një paketë Marlboro me 20 cigare kushton më shtrenjtë. Aty një paketë e tillë shitet 20,70 dollarë. Në Shqipëri është 3 $.

Ndër vendet e rajonit Mali i Zi është më i shtrenjti për paketat, ku një Marlboro kushton 3,45 $, e pasuar nga Bosnje me 3,12 $ dhe Sebia 3,02$.

Në Kosovë një paketë kushton 2,78$, kurse në Maqedoninë e Veriut 2,35 $.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë