Treg

Ligji i ri i Punësimit, qeveria kushte të reja bizneseve

Të gjitha firmat që përfitojnë fonde publike nga shteti apo dhe koncesione të punëve publike janë të detyruara që të punësojnë njerëz të papunë që janë të regjistruar në strukturat rajonale lokale të punësimit.

Ky është detyrimi që do të vendoset me anë të një draftit të ri “Për nxitjen e punësimit” që qeveria ka depozituar në Parlament, duke i detyruar sipërmarrësit të punësojnë një pjesë të personave që janë regjistruar në Zyrat e Punës, si pjesë e grupeve të veçanta dhe jo vetëm.
Rregullat e mënyrës së punësimit do të përcaktohen nga një vendim i posaçëm i Këshillit të Ministrave.

Sipas këtij drafti grupet e veçanta të përfituesve janë ata të disavantazhuara në tregun e punës, janë punëkërkuesit si: a) jetimë; b) kryefamiljarë të vetëm, me fëmijë në ngarkim; c) persona me aftësi të kufizuara; ç) persona me moshë mbi 55 vjeç; d) persona nga komuniteti rom dhe egjiptian; dh) persona që kanë apo janë duke vuajtur dënimin me burgim; e) persona nga familje që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura; ë) punëkërkues të papunë afatgjatë (të regjistruar si punëkërkues të papunë prej më shumë se një viti); f) punëkërkues të papunë, të kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni; g) të mitur dhe të rinj në konflikt me ligjin; gj) të rinjtë me moshë nën 29 vjeç; h) viktima të trafikut e të dhunës me bazë gjinore dhe në familje.

Synimi i këtij projektligji është kryesisht që të punësohen të rinjtë duke i ofruar: kurse pa pagesë për punëkërkuesit e papunë; kurse me pagesë për persona që e kërkojnë një gjë të tillë; mjedise dhe mjete logjistike kundrejt qirasë për subjekte që ushtrojnë formimin profesional.

Gjithashtu, janë parashikuar forma të tjera mbështetjeje, si për ofruesit publikë ashtu dhe për ata privatë, për t’u mbështetur financiarisht për kryerjen e kurseve për punëkërkuesit e papunë, për profesione të kërkuara në tregun e punës, sipas kërkesave të strukturave rajonale/vendore.

Neni 21 i projektligjit i dedikohet personave me aftësi të kufizuara. Në pikën 1 është parashikuar se çdo punëdhënës që punëson më tepër se 49 punonjës është i detyruar të punësojë një person me aftësi të kufizuara, për çdo 50 punonjës të personelit të tij. Në rast se punëdhënësi refuzon atëherë është detyruar që të derdhë një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e gjysmë page minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar sipas këtij neni. Aktualisht, paga minimale në shkallë vendi e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave është 26 000 lekë, pra kjo masë është 13 000 lekë.

Procedura dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit. Në rast se nuk paguhen këto kontribute atëherë ata do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi.

Një punëdhënës mund të punësojë një person me aftësi të kufizuara të thella në vend të pesë personave me aftësi të kufizuara të lehta. Të ardhurat e mbledhura në zbatim të pikës 2, të këtij neni dhe sipas procedurave të udhëzimit përkatës, do të përdoren për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësim dhe riaftësim profesional, orientim dhe këshillim për punësim, shërbime mbështetëse, si dhe përshtatjen e arsyeshme në vende pune të këtyre personave.

Sipas relacionit dispozitat në lidhje me personat me aftësi të kufizuara për detyrimet e sipërpërmendura kanë qenë totalisht të pazbatuara, për arsye të moskrijimit të Fondit Kombëtar të Punësimit ku do të derdheshin detyrimet e punëdhënësve, pra paga minimale në shkallë vendi për ҫdo person me aftësi të kufizuara që nuk kishin punësuar.

Për këtë arsye, është propozuar me këtë projektligj që të gjitha të ardhurat e mbledhura nga derdhjet e punëdhënësve në buxhetin e shtetit të vihen në dispozicion në vitin pasardhës në një llogari të veçantë të buxhetit të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, të cilat kjo e fundit do t’i përdorë për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit për personat me aftësi të kufizuara, në bashkëpunim me punëdhënësit.

Sipas shifrave zyrtare në vitin 2017, qeveria numëronte 190 mijë persona të papunë. Ndërsa 16.499 vende të reja të punës u raportuan nga zyrat e punësimit gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë