Treg

Ligji i Bashkimit Europian kundër shpyllëzimit mund të shkaktojë një krizë botërore kafeje

Nga Gazeta ‘Si’-Qindra mijëra ton kafe dhe kakao të depozituara në magazinat e BE-së rrezikojnë të shkatërrohen si pasojë e paparashikuar e ligjit të bllokut për shpyllëzimin.

Ligji synon të ndalojë produktet që përfshijnë kafenë, kakaon, vajin e palmës që janë rritur në zonat e shpyllëzimit të mos shiten brenda bllokut. Alarmin e ka ngritur Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë (ITC), një agjenci e lidhur me OKB-në që theksoi se do të ketë një periudhë tranzicioni kur mund të dalë në treg. Ligji hyn në fuqi dhjetorin e vitit të ardhshëm.

Rreth 70 për qind e kakaos në botë vjen nga Bregu i Fildishtë dhe Gana, ku shpyllëzimi dhe puna e fëmijëve janë të përhapura. Prodhuesit kryesorë të kafesë në botë janë Brazili, Vietnami, Kolumbia dhe Indonezia.

“Nëse del në treg brenda periudhës së tranzicionit, është mirë. Por nëse mbahet dhe del pas kësaj periudhe, mund të mos jetë”, tha Pamela Coke-Hamilton, drejtore ekzekutive e Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë.

Kjo mund të shkaktojë ndërprerje, duke prekur të gjithë zinxhirin e furnizimit nga fermeri tek konsumatori.

Rregullorja kërkon që importuesit të japin të dhëna për vendndodhjen e mallrave të tyre për të vërtetuar se ato nuk kanë ardhur nga zona të prekura nga shpyllëzimi. Mallrat do të kontrollohen sipas asaj se sa i rrezikuar nga shpyllëzimi konsiderohet vendi i origjinës.

Kafeja dhe kakaoja ndikohen veçanërisht sepse ato nuk zhdoganohen menjëherë pas mbërritjes në BE dhe mund të kalojnë më shumë se 18 muaj - kohëzgjatja e periudhës së tranzicionit të përcaktuar në ligjin e shpyllëzimit - në magazina të mbyllura.

Për prodhuesin e çokollatës Barry Callebaut “rreziku financiar do të ishte shumë i rëndësishëm”. BE-ja është tregu më i madh për Barry Callebaut, prodhuesi më i madh në botë i çokollatës, i cili përpunon rreth 20 për qind të prodhimit të kakaos në botë çdo vit.

Matthijs de Meer, menaxher i çështjeve të BE-së në Shoqatën Evropiane të Kakaos, tha se industria e kakaos mbështetej në blerjen e ardhshme: "Vezët me çokollatë të konsumuara gjatë Pashkëve 2025 janë rezultat i korrjeve aktuale".

Vlera e “sasive të konsiderueshme të stoqeve të kakaos” mund të reduktohet “pothuajse në asgjë, duke kërcënuar aksesin në tregun e BE-së për mbi 3 milionë fermerët e kakaos”.

 Komisioni është në diskutim me shtetet anëtare për të gjetur një zgjidhje për kulturat e depozituara të importuara gjatë periudhës së tranzicionit.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë