Futboll

Liga Profesioniste pret fjalën e qeverisë, tjetër takim ditën e hënë

Ditën e hënë mund të ketë një vendim zyrtar në lidhje me bojkotin e Superiores. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi ditën e premte se kishte marrë garanci nga kryeministri Rama për zgjidhjen e kërkesave dhe se kampioanti do të nisë shpejt. Megjithatë, ai pohoi se i takon Ligës Profesioniste të vendosë dhe kjo e fundit sapo ka dalë me një njoftim për shtyp, ku bën të ditur se është në pritje të përgjigjes së qeverisë.

“Liga Profesioniste e Futbollit bën të ditur se akoma nuk ka një përgjigje zyrtare nga ana e qeverisë për kërkesat e saj dërguar kryeministrit. Në këto kushte, Liga do të mblidhet sërish ditën e hënë, datë 26.10.2020 ora 11:00, në ambjentet e Stadiumit “Air Albania” për të diskutuar dhe vendosur mbi hapat e mëtejshme”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të Ligës Profesioniste të Futbollit.

Ndoshta të hënën do të ketë edhe një qëndrim zyrtar nga ana e qeverisë, apo vetë kryeminsitri Edi Rama. Deri tani, më optimist është presidenti i FSHF-së, Duka, kurse Liga dhe ministrja Denaj kanë lënë gjithçka të hapur, përderisa nuk ka një marrëveshje zyrtare mes palëve.

Qëndrimi i Ligës Profesioniste. Gazeta Si, 24 tetor 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë