Futboll

Liga Profesioniste këmbëngul: Bojkoti vazhdon, presim takimin me qeverinë

Liga Profesioniste ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës në “Air Albania Stadium” dhe ka vendosur që bojkoti të vazhdojë. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, shefi i sektorit të garave Marjus Sulejmani dhe përfaqësues të klubeve të Superiores.

Pas takimit, presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, theksoi se bojkoti do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave nga qeveria. “Pas diskutimeve në mbledhje u vendos që të vazhdojmë bojkotin derisa të zgjidhen kërkesat. Është një vendim unanim i Ligës. Jemi në pritje të një takimi me qeverinë për kërkesat tona”, - theksoi Libohova.

Këtë fundjavë ishte menduar se do të fillonin aktivitetet, por ndoshta duhet pritur ende, të paktën për Superioren. Liga Profesioniste dhe drejtuesit e klubeve elitare kërkojnë me ngulm që qeveria të plotësojë kërkesat e tyre, ndaj dhe nuk tërhiqen në vendimin e tyre për bojkot të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë