Futboll

Liga Profesioniste i bën presion qeverisë: Katër kushte për nisjen e garës

Kampionati i ardhshëm i futbollit nuk do të nisë më 12 shtator, siç ishte planifikuar. Liga Profesioniste e Futbollit, në një takim të zhvilluar sot, ka vendosur t’i bëjë “presion” qeverisë, duke vendosur si kusht 4 pika që duhen plotësuar patjetër para se të nisë kampionati. Kërkesa kryesore është miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet nga ana e qeverisë.

Një qëndrim që vjen pas ndryshimeve ligjore për sportin nga ana e qeverisë, por që sipas Ligës Profesioniste, nuk i japin asnjë zgjidhje kërkesave të klubeve të futbollit. Në takimin e sotëm ishin të pranishëm presidentët e klubeve të Superiores, drejtuesit e Ligës dhe të FSHF-së, Duka dhe Shulku. Në fund ata firmosën vendimin me 4 kërkesat ndaj qeverisë.

Ja dhe 4 kërkesat:

Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet, sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.

Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.

Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.

Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.

Vendimi i Ligë Profesioniste të Futbollit. Gazeta Si, 5 gusht 2020

Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë