Futboll

Liga nxjerr edhe futbollistët e Kombëtares në “fushatën” kundër qeverisë

Na faqen e Ligës Profesioniste të Futbollit është publikuar sot një video e shkurtër me protagonist Bekim Balajn, sulmuesin e Kombëtares, i cili i bën thirrje qeverisë për më shumë mbështetje ndaj futbollit. “Futbollin e kemi krenari kombëtare, i bëj thirrje qeverisë për më shumë mbështetje”, - thotë futbollisti shkodran në këtë video, ku në sfond shfaqet stadiumi “Air Albania”.

Duket si një “fushatë” e Ligës Profesioniste, - në fakt e FSHF-së, sepse ajo ka fuqi ndaj lojtarëve të Kombëtares, - kundër qeverisë, në një kohë që situata vazhdon të mbetet e akullt sa i takon negociatave për 4 kërkesat e futbollit që duhen përmbushur nga pushteti qendror. Liga dhe FSHF-ja po lëvizin gjithë mekanizmat që kanë në duar, edhe pse kjo ndoshta mund të ndikojë për keq, duke sjellë zemërim te Kryeministri Rama. Çdo vendim i Ligës publikohet vetëtimthi në faqet zyrtare të klubeve, tani përdoren dhe lojtarët e Kombëtares.

Qeveria nga njëra anë të deputetit Fidel Ylli dhe Liga e FSHF-ja në anë tjetër me anë të drejtuesve të tyre kryesorë, bëjnë apel për uljen në bisedime, por presioni në distancë vazhdon. Liga mbetet e vendosur në qëndrimin që bojkoti të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave, kurse qeveria dërgon mesazhe për nisjen e kampionatit, që më pas të zgjidhen 4 kërkesat e famshme.

https://www.facebook.com/watch/?v=364329077911290&extid=UC93LfOp3vbXg5Bt

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë