Lajme

Liga e Europës, tri skuadrat shqiptare për përmbysjet e pamundura

Janë tri skuadrat shqiptare që marrin pjesë në Ligën e Europës, por gjasat janë që mbrëmjen e sotme asnjëra prej tyre të mos mbetet në këtë kompeticion. Një konkluzion i thjeshtë, bazuar në rezultatet e ndeshjeve të para të turit të parë eliminator, ku Kukësi dhe Teuta janë mundur thellë, 3-0, ndërsa Laçi barazoi 1-1 në fushën e tij me Hapoel Ber Shevan dhe ka më shumë shanse kualifikimi se të tjerët, por në Izrael do ta ketë shumë të vështirë.

Kukësi dhe Teuta duhet të përmbysin humbjet 3-0, ose të paktën të balancojnë gjithçka me një fitore në po këta shifra, për të shkuar në shtesë kualifikimin. Kuksianët luajtën një ndeshje relativisht të mirë në Hungari ndaj Debrecenit. Patën disa raste për shënim, që nuk ditën t’i shfrytëzonin, por u mungoi edhe fati. Rezultati 3-0 nuk i përgjigjet aspak asaj çfarë dhanë në fushë lojtarët e Kukësit, të cilët mund të fitojnë sot në “Elbasan Arena”, megjithatë kualifikimi duket i pamundur. Ndeshja nis në orën 20:00. Presidenti Safet Gjici e ka vënë nën presion skuadrën dhe kërkon kualifikimin, ndërkohë që trajneri Ernest Gjoka rrezikon vendin e punës.

Nga ndeshja e parë mes Kukësit dhe Debrecenit në Hungari

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Teuta, që pësoi edhe ajo 3 gola në Letoni nga ekipi i Ventspils. Edhe durrsakët, të cilët sot zbresin të parët në fushë, në orën 17:00, luajtën mirë pas golit të parë të pësuar, por nuk mundën të shënonin asnjë gol dhe në pjesën e dytë u goditën nga dy episode. Ndoshta me ndihmën e tifozëve në stadiumin “Niko Dovana”, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi mund të bëjë ndonjë mrekulli. Në letër duket e skualifikuar. Laçi ishte i vetmi nga tre ekipet shqiptare që arriti rezultat pozitiv në Ligën e Europës dhe i vetmi që shënoi. Ai barazim 1-1 e mban në lojë për kualifikimin, kuptohet me shanse të pakta, sepse përsëri i duhet të fitojë ndaj izraelitëve të Hapoel Ber Shevës, ose të barazojë me 2 gola e lart. Kundërshtari është i fortë dhe kjo do të thotë se edhe ekipi i trajnerit Sulejman Starova e ka gati mision të pamundur kalimin në turin e dytë.

Teuta në stërvitje

I sigurt në Turin tjetër të Ligës së Europës është Partizani, që merr pjesë në këtë kompeticion, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Me shumë mundësi, të kuqtë do të jenë të vetmit që do të përfaqësojnë Shqipërinë më tej në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë