Futboll

Liga e Europës/ Paraqitje pozitive për Hysajn dhe Kumbullën

Dy mbrojtësit e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj dhe Marash Kumbulla, luajtën titullarë në Ligën e Europës, duke bërë një paraqitje të mirë me skuadrat e tyre, Napolin dhe Romën. Që të dy janë vlerësuar me të njëjtën notë, 6.

Hysaj luajti 90 minuta në ndeshjen me Real Sociedadin, ku Napoli fitoi 0-1, me golin e Politanos. Ishte fitorja e parë në grup për Napolin në këtë kompeticion, mjaft e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme dhe kualifikimin e mundshëm. Në ndeshjen e parë skuadra e Gatuzos u mund nga Alkmari, që udhëheq grupin me 6 pikë. Hysaj në ndeshjen e sotme luajti në pozicionin e tij natyral, atë të mbrojtësit të djathtë.

Kumbulla, pas barazimit me CSKA-në e Sofjes. Gazeta Si, 29 tetor 2020

90 minuta në fushë për Romën ishte edhe këtë herë Marash Kumbulla, por i pozicionuar në të djathtë të mbrojtjes me tre lojtarë. Roma barazoi pa gola ndaj CSKA-së së Sofjes dhe pas dy ndeshjesh ka 4 pikë, ndërkohë që Kumbulla po fiton gjithmonë e më shumë përvojë, duke lujtur tashmë rregullisht në formacionin e trajnerit Fonseka, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Europës. Mihaj i PAOK-ut dhe Mitaj i AEK-ut nuk luajtën asnjë minutë në ndeshjet e sotme.

Ka shënuar një gol me peshë ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olainka, duke i shkaktuar humbjen Bajer Leverkusenit. Ndër rezultatet surprizë të xhiros së dytë në grupet e Ligës së Eruopës ishte humbja 1-0 e Totenhemit në fushën e Antverp në Belgjikë. Skuadrat e tjera të mëdha kanë fituar pa problem.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë