Futboll

Liga e Europës/ Napoli “djeg” stadiumin, Roma siguron kualifikimin

Në ndeshjet e katërta në grup të Ligës së Europës, Napoli ka mundur 2-0 Rijekën, duke mbajtur vendin e parë. Në një “San Paolo” të rrethuar nga flakët e zjarrit të ndezur nga tifozët, të cilët kanë dashur të nderojnë Diego Armando Maradonën, idhullin e tyre, skuadra e Gatuzos e pati të lehtë fitoren.

Në fundin e pjesës së parë, Anastasio shkaktoi një autogol, kurse në pjesën e dytë meksikani Lozano dyfishoi shifrat. Lojtarët e Napolit zbritën në fushë fillimisht të gjithë me fanella me numrin 10 si homazh për Maradonën, argjentinasin që ka bërë historinë në stadiumin “San Paolo” dhe që dje ndërroi jetë nga një atak kardiak. Kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe Napoli ka shanse të mëdha për t’u kualifikuar. Hysaj mungoi në këtë ndeshje për shkak dëmtimi.

Lojtarët e Napolit, të gjithë me numrin 10 për nder të Maradonës. Gazeta Si, 26 nëntor 2020

Mungoi sot edhe lojtari tjetër i Kombëtares, Maraash Kumbulla, që është i karantinuar. Roma e tij fitoi 0-2 në Rumani ndaj Kluzhit dhe është e kualifikuar për në fazën tjetër, pasi kryeson grupin e saj me 10 pikë, ndërsa vendi i tretë ka 4 pikë. Roma e zgjidhi ndeshjen në pjesën e dytë, me futjen në fushë të Veretu, protagonist në autogolin e rumunëve dhe autor i golit të dytë me penallti.

Milani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Lilës, ku Kastilejo e kaloi ekipin kuqezi në avantazh, por më pas francezët barazuan. Kualifikimi është i hapur për dy ndeshjet e mbetura. Milani është i dyti, me 7 pikë, 1 pikë pas Lilës dhe 1 pikë para Spartës së Pragës. Kanë fituar pa probleme në ndeshjet e sotme thuajse të gjitha skuadrat e mëdha, Arsenali, Totenhemi, Bajer Leverkusen, PSV-ja dhe Hofenheimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë