Gazeta Si – Milani është kualifikuar për në fazën e 1/8-ve të Ligës së Europës, pavarësisht humbjes 3-2 ndaj Ren në Francë. Kuqezinjtë e Piolit kishin fituar ndeshjen e parë 3-0. Roma u kualifikua pas gjuajtjes së penalltive, pasi ndeshja e sotme përfundoi me të njëjtin rezultat me të parën, 1-1.
Në ndeshjen e kthimit të play-off-t të Ligës së Europës, Milani u mund 3-2 nga Ren, por ishte një humbje pa dhimbje për italianët, sepse falë 3-0 të ndeshjes së parë janë kualifikuar për më tej.
Ishte një ndeshje e kënaqshme për djemtë e Piolit, me shumë emocione në ‘Roazhon Park’. Francezët shënuan tri gola, dy prej tyre me penallti, me të njëjtin autor, Bourigeaud, më i miri në fushë. Për ‘Djallin’ shënuan Joviç me kokë dhe më pas Leao, që më parë kishte shpërdoruar tre raste.
Romës iu deshën penalltitë për të kaluar Fejnordin, pasi edhe në 'Olimpico' gjithçka përfundoi 1-1. Nga pika e bardhë gaboi vetëm Lukaku për skuadrën e De Rosit, kurse holandezët humbën dy penallti nga katër që gjuajtën.
Ditën e premte do të hidhet shorti në Nion për përballjet e fazës së 1/8-ve. Përveç Milanit dhe Romës, skuadrat e tjera të kualifikuara sot në play-off janë Frajburgu, Karabagu i Xhixhës, Benfika, Olimpik Marsejë, Sparta Pragë dhe Sportingu i Lisbonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.