Rend dhe Ligj

Financieri i Habilajve – A po bashkëpunon me drejtësinë?

Gjykata italiane e Katanias, ajo që po heton bandën e Habilajve të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge vendosi të lehtësojë masën e sigurisë për Nezar Seitin, i njohur kryesisht si financieri i kësaj bande.

Duket se lehtësimi i masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për Seitin nuk është bërë për shkak të lehtësimit të akuzave ndaj tij, por për një tjetër arsye. Burime jozyrtare të Gazetës Si pranë Prokurorisë dhe Gjykatës së Katanias lanë të kuptohej se Nezar Seiti po bashkëpunon me grupin hetimor duke dhënë dëshmi të vlefshme jo vetëm për plotësimin e dosjes ndaj bandës së Habilajve, por edhe të hedhjes dritë për grupet e tjera kriminale siçiliane që kanë bashkëpunuar me Habilajt.

Detaje se çfarë ka dëshmuar deri më tani “Financieri” i Habilajve është vështirë të mësohen, por nëse ai vërtet ka bashkëpununar, apo jo me hetuesit italianë do të mësohet me rifillimin e seancave gjyqësore ndaj grupit të akuzuar për trafik lëndësh narkotike, seanca që nisin në muajin shtator.

Por ka dy detaje që mund të përjashtojë mundësinë që Seiti të ketë bashkëpunuar. Së pari, të paktën zyrtarisht ai nuk e ka marrë statusin e të penduarit dhe të dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia dhe së dyti, fill pas zbutjes së masës së sigurisë për të, nga arrest me burg në arrest shtëpie, Prokuroria e Katanias ka shprehur mosaprovimin e saj për vendimin e gjykatës dhe ka nisur procedurat për ankimimin e këtij vendimi dhe rivendosjen e masës së sigurisë arrest me burg për të pandehurin.

Ndërkohë, në Tiranë, avokati shqiptar i Seitit, Detar Hysi deklaroi për mediat se zbutja e masës së sigurisë ishte miratuar nga gjykata pas paraqitjes së provave të palës mbrojtëse për dosjen e tij, që po gjykohet e ndarë nga ajo e grupit të bandës. Edhe në janar të këtij viti, kur u ekstradua nga Shqipëria në drejtim të Siçilisë, Seiti u vendos në një burg tjetër nga ai ku mbahej Moisi Habilaj me shokë.

Autoritetet italiane janë diskrete në dhënien e informacioneve për këtë çështje, por në mediat vendase izolimi i Seitit në një burg tjetër nga ai ku ndodhej Moisi Habilaj u interpretua si masë paraprake sigurie e strukturave ligjzbatuese për të mbrojtur “Financierin”, nga i cili prisnin që të siguronin informacione të vlefshme për dosjen hetimore.

Në bankën e të akuzuarve janë disa persona shqiptarë dhe italianë, mes të cilëve Moisi Habilaj, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj. Habilaj konsiderohet si kreu i organizatës kriminale, që ka zhvilluar një biznes miliona eurosh të ndara me krerë lokalë të narkotrafikut.

Për vetë rolin si llogaritar i bandës, Nezar Seiti besohet se ka dijeni për mënyrën e transfertave dhe të ndarjes së shumave të përfituara nga trafiku i drogës edhe me grupet kriminale siçiliane, me të cilët banda e Habilajve, sipas dosjes së italianëve, bashkëpunonte ngushtë.

Nezar Seiti shkaktoi jo pak debat politik në Tiranë në fillim të këtij viti, kur u ekstradua me një procedurë ekstra-ligjore në drejtim të Italisë, ndërkohë që nga Krimet e Rënda ishte hapur një dosje hetimore, ku i përfshirë ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ekstradimin e tij, opozita e cilësoi një përpjekje të mazhorancës për t’i mbyllur gojën dëshmitarit kyç në çështjen “Tahiri” dhe kërkoi nga Prokuroria që të hetojë ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj për këtë rast, hetim që u mbyll këtë të premte nga Prokuroria e Durrësit me argumentin se nuk u gjet shkelje penale, por shkelje administrative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë