Njerez

Lidhjet e brezave / 10-vjeçari shqiptar i lexon libra fqinjës së verbër në Verona

Nga Gazeta Si- Në një përrallë emocionuese miqësie dhe dhembshurie që i kapërcen kufijtë e moshës, një 10-vjeçar shqiptar, Erik, është bërë sytë e fqinjës së tij italiane 55-vjeçare, Paola Toldo, në Verona. Toldo, e cila së fundmi ka humbur shikimin për shkak të një sëmundjeje të rëndë, gjen ngushëllim në librat që i lexon 10-vjeçari, duke nxjerrë në pah një lidhje të jashtëzakonshme të krijuar nga dashuria për letërsinë.

Ajo ia përcolli pasionin e saj për librat dhe ai tani ia lexon ato, që prej kohës kur ajo humbi shikimin.

Paola është me origjinë nga Valdastico (Vicenza), por tani jeton në Verona, ku u njoh me familjen e Erikut me origjinë shqiptare, e cila jeton në shtëpinë e saj.

“Erik u rrit duke e njohur mirë situatën time, të cilën e jetonte dita-ditës”, thotë Toldo. Ajo nuk ka fëmijë dhe kujdesej me dashuri për djalin ndërsa ai rritej, duke i dhënë disa libra nga biblioteka e saj për ta mësuar dhe për ti dhënë pasionin për leximin.

Fatkeqësisht, për shkak të një sëmundjeje, ajo humbi shikimin por gjithsesi kishte librat audio, të cilët në të kaluarën i kishte prodhuar vetë, vullnetarisht, për të gjithë ato që nuk mund të lexonin.

Një ditë, Paola mori një mesazh zanor në celularin e saj: ishte Eriku, duke i lexuar kapitullin e parë të një libri, “Il piccolo aalpino” nga Salvatore Gotta. Ishte një nga librat që ajo i kishte bërë dhuratë dhe që i kishte premtuar se do i pëlqente.

“Ishte një surprizë shumë e bukur, e mbushur me jetë. Edhe dje më dërgoi një kapitull tjetër vokal, edhe pse i kisha thënë të mos shqetësohej për mua dhe t'i kushtonte më shumë vëmendje shkollës dhe lojës", thotë Toldo e cila ka treguar për mediat italiane se vazhdimisht ajo i ka dhënë libra dhe gjithmonë djali i vogël i lexonte dhe pasi i mbaronte, i thoshte asaj se i ka pëlqyer, duke bërë edhe komente rreth librit.

Ai pëlqen veçanërisht të lexojë libra historie ku tashmë është një adhurues i Luftës së Parë Botërore. “Jam e lumtur që kam kontribuar për të zhvilluar tek ai kënaqësinë e leximit. Ai ndoshta e pa se sa shumë u lidha me librat audio pasi humba shikimin ose ndoshta gjithçka nisi kur prindërit e tij i dhanë një celular. Ishte surprizë të dëgjoja zërin e tij të bukur duke lexuar me rrjedhshmëri dhe entuziazëm kapitullin e parë të librit që i kisha dhënë”, thotë me entuziazëm Toldo.

Të dy bashkë, tashmë bëjnë komente për librat dhe diskutojnë edhe për gabimet drejtshkrimore që mund të hasin në ndonjë libër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë