Trend

Lidhja sekrete mes arredimit dhe humorit… Të rinjtë shqiptarë duan errësirën

Një tavolinë në cep, një divan në tjetrin dhe disa orendi të tjera në dhomë mund të jetë diçka shumë e rrëmujshme për t’u parë por jo vetëm kaq...

Na ndodh që nëse një detaj shumë i vogël në shtëpinë tonë nuk ndodhet aty ku e lëmë gjithmonë, i gjithë humori ynë shkatërrohet apo edhe një shtëpi e rrëmujshme që na bën të stresohemi. Mund dhe të ndjehesh rehat nëse është rrëmujë. Kjo është një lidhje që pak njerëz e mendojnë dhe i japin aspak rëndësi por në fakt ka një lidhje të fortë mes tyre.

Arkitekt Seldi Shehu nga Studio.al tregon për Gazetasi.al se klientët kërkojnë arredime që i bëjnë të ndihen mirë, qofshin ato me ngjyra që në parim nuk janë të “pranueshme” nga shoqëria.

“Ka klientë që e duan dhomën në ngjyrë të errët sepse me atë ndihen mirë”.

Psikologe Arjana Dengu tregon për Gazetasi.al se hapësirat personale në shtëpinë tonë vendosin për shumë momente në jetën tonë. Pas një tronditjeje ose shqetësimi, një grindje, një dite të lodhshme, instinktet tona na thonë të shkojmë në shtëpi te çlodhemi.

Arkitekt Albjan Lala ndërkohë thotë se arredimi i shtëpisë në Shqipëri bëhet në bazë të moshës.

Arkitekt Albjan Lala. Gazeta "Si", 1 prill, 2022.

“Të rinjtë shqiptarë duan errësirën. Janë të apasionuar pas mobiljeve dhe mureve në ngjyrat e errëta si gri apo të zezë. Nga ana tjetër janë mosha e mesme dhe më shumë që janë akoma të lidhur me ngjyrat e ngrohta dhe nuk ndodh që të shkëputen nga to. Kjo mendoj se vjen dhe nga kultura”, thotë Lala i cili shton se të rinjtë mund të kenë parë nga jashtë ose mund të jetë për shkak se duan të jenë ndryshe.

Lala tregon se shqiptarët e zgjedhin arredimin e shtëpisë me kushtin kryesor që të ndjehen rehat dhe mirë. Dhe, duke parë tendencën, ai tregon se ajo çka i bën ndryshe nga të huajt është fakti se janë gjithmonë në kërkim të “më shumë”, të një shtëpie të bollshme, të mbushur me orendi dhe objekte. Nga kjo, a mund të themi se shqiptarët ndjehen mirë me rrëmujën nëpër këmbë?

“Ne tërhiqemi në hapësirat tona private kur kemi nevojë për mbrojtje shpirtërore ose sociale”, thotë Dengu.

Psikologe Arjona Marra thotë se arredimi sipas preferencave dhe dëshirave tona na motivon dhe na frymëzon. "Ka persona që lidhen ngushtë me mjedisin ku rrinë, objektet, dhomën dhe nuk ka asgjë të gabuar në këtë", thotë Marra e cila shton se një arredim jo i kënaqshëm për syrin tonë na streson. Syri dhe mendja jonë pëlqen të bukurën dhe komfortin dhe nëse nuk kënaqim shqisat tona, ka edhe një mosrehati.
Sipas psikologes, çdo gjë që ne shikojmë, përballemi, përdorimin si shtëpia apo dhoma janë si një ushqim për mendjen tonë. Në një formë të pavetëdijshme ne ushqejmë trurin me çdo gjë që na rrethon praktikisht.

Sot bota e biznesit gjithashtu i kushton vëmendje efekteve psikologjike të dizajnit të brendshëm. Dizajnerët e përdorin ngjyrën, ndriçimin, paraqitjet, teksturat dhe veprat e artit për të krijuar hapësira motivuese, që nxisin efikasitetin, kreativitetin, lumturinë, besimin.

“Mënyra se si e arredojmë ambjentin ku jetojmë i ndihmojnë njerëzit të ndihen më të relaksuar dhe më të përqendruar, më të lumtur”.

Dengu thotë se çdo bukuri estetike ka një efekt qetësues, relaksues te njerëzit. Me një hapësirë më të pastër, më të organizuar, më pak të rrëmujshme, ne mund të flemë dhe të hamë më mirë, të ndihemi më të qetë dhe më të kontrolluar dhe të përballemi me një shëndet më të mirë.

Një raport i kompanisë IKEA ka zbuluar se 40% e njerëzve nga e gjithë bota që ishin pjesë e një studimi mendojnë se shëndeti i tyre mendor u përmirësua kur ndiheshin mirë për shtëpinë e tyre dhe arredimin.

Por shtëpitë tona nuk ndikojnë vetëm në mirëqenien tonë, ato kanë një ndikim edhe në marrëdhëniet tona. Një raport i mëparshëm i IKEA-s, zbuloi se 40% e njerëzve thanë se jetonin me gjëra që i urrenin, por nuk mund t'i hidhnin sepse i përkisnin dikujt tjetër dhe kjo ka ndikuar në marrëdhënien e tyre me partnerin/partneren.

Një sondazh i kryer në vitin 2018 zbuloi se 66.5% e njerëzve pranuan se kishin debatuar për rrëmujën me dikë me të cilin jetojnë.

Gjatë dy viteve të fundit, marrëdhënia jonë me shtëpitë tona ka qenë më e rëndësishme se kurrë. Ne kemi pasur nevojë që shtëpia jonë të na ‘mirëpresë’ dhe të jetë vendi i shenjtë për ne.

Por çfarë duhet për ta bërë një shtëpi një vend të shenjtë? Hulumtimi i IKEA identifikoi tre aspekte të rëndësishme për arritjen e kësaj: të kesh një vend që shfrytëzon më së miri hapësirën, dhoma që funksionojnë mirë dhe që nxisin ndjenjën e stabilitetit emocional.

Megjithatë, një nga gjërat më të lehta që mund të bëni për të përmirësuar mjedisin tuaj, pa ndryshuar një llambë ose riorganizuar ambientin tuaj, është të futni pjesën e jashtme brenda. Një përmbledhje e vitit 2019 në Journal of Environmental Horticulture mblodhi së bashku një mori provash rreth mënyrave cilat bimë shtëpie mund të përmirësojnë shëndetin emocional dhe mendor. Duket se bimët e shtëpisë janë një rrugë e shkurtër për një shtëpi më të lumtur, nga ulja e ankthit deri te përmirësimi i kreativitetit, produktivitetit, lumturisë dhe kënaqësisë nga jeta.

Shkenca është e qartë kur bëhet fjalë për të ndikuar në humorin dhe marrëdhëniet tona, dizajni i brendshëm ka potencialin të ketë një ndikim të madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë