Libra

“Libri i Minifabulave”, plotësohet amaneti i Moikom Zeqos

Një vit pas ndarjes nga jeta të një prej zërave më të fortë të kulturës shqiptare, Moikom Zeqos, i biri, Epidamn Zeqo ka sjellë për publikun “Librin e Minifabulave”, të botuara ndër vite nga vetë Moikomi në disa libra të ndryshëm.  

Me anë të këtij libri, i biri ka plotësuar amanetin e Moikom Zeqos për t’i mësuar vajzës gjuhën shqipe.

“Libri ka lindur përgjatë pandemisë së koronavirusit nga amaneti i Moikomit që mbesa e tij Pandora, vajza e të birit Epidamn, të mësojë shqip nëpërmjet fabulave dhe vjershave të shkruara nga gjyshi i saj”, thotë Zeqo, për Gazetën “Si”. “Kur Moikomi ndërroi jetë, unë mora vendimin për krijimin e Institutit ‘Moikom’ dhe që vajzës t’i flisja dhe lexoja vetëm në shqip, edhe pse tashmë jetoj në Amerikë”, thotë ai.

Risia e botimit të minifabulave janë ilustrimet e Enkeleida Ester Priftit që përçojnë në imazhe mesazhin e Moikom Zeqos.

“Tashmë minifabulat e Moikomit, të përzgjedhura për këtë botim, shoqërohen me ilustrimet origjinale e plot jetë në akuarel, tejet tërheqëse për fëmijët dhe prindërit, të krijuara nga artistja Enkeleida Ester Prifti, e diplomuar në Universitetin e Shën Petersburgut, Rusi”, thotë ai.  

Sipas të birit, “Libri i Minifabulave” është i pari i koleksionit të titulluar “Gjyshi Moikom”.

Falë këtij koleksioni, fëmijë e prindër, edukatorë e mësues, do të mund të rizbulojnë krijimtarinë e larmishme të shkrimtarit Moikom Zeqo, i cili ia përkushtoi një pjesë të rëndësishme të veprës së tij edukimit të brezit të ri.

Epidamn Zeqo do të zbulojë se Pas Pleniumit të IV Moikomi u dënua për poezinë ekzistenciale dhe çohet si mësues në Rrogozhinë.

“Aty lë poezinë dhe fillon ciklin me fabula dhe vjersha për fëmijë. Përzgjedhja e minifabulave nga librat: ‘Stina e balonave’ (1979), ‘Festa e Abetares’ (1981), ‘Shtëpiza e pëllumbave’ (1986), ‘Syri’ (1988), ‘Legjenda e Epidamnit’ (1989), dhe ‘Tri shkronjat e Hënës’ (1990)”, vijon më tej i biri.

Botimi më shumë se një requiem për të atin është edhe një mënyrë për ruajtjen e gjuhës amtare.

“Është jetik nëse duan të mësojnë në gjuhën amtare. Si mësojnë fëmijët? Ata imitojnë prindërit e tyre, prandaj, ne duhet të veprojmë vetë si modele, dhe të përsërisim, dhe të përsërisim, dhe të përsërisim. Leximi i tregimeve me rimë mbetet një nga mjetet më të fuqishme që prindërit kanë për t'u mësuar më mirë komunikimin fëmijëve dhe për t’i vënë në gjumë. Rima është vaji i shkrim-leximit, i këngës, dhe i krijimtarisë”, vijon më tej Zeqo.  

Sa i përket rëndësisë së këtij botimi në gjuhën shqipe, Zeqo vë theksin tek ilustrimet, si një fëmijë për t’u shprehur fëmijët me gjeste dhe me fjalor.  

“Është përcaktues jo vetëm se janë fabulat më të mira morale dhe etiologjike, që shpjegojnë pse gjërat janë ashtu siç janë, por sepse është hera e parë në letrat shqipe kur teksti futet në ilustrim”.

Moikom Zeqo humbi jetën më 15 qershor 2020 pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas një vepër të madhe të botuar dhe në dorëshkrim, për të cilën tashmë kujdesen familjarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë