Libra

‘Libri afron botën’, dhjetëra aktivitete për të nxitur leximin gjatë tetorit

Nga Gazeta Si - I kthyer tashmë në një traditë, prej vitesh tetori është muaji që i dedikohet librit. E nisur si një fushatë sensibilizimi për të lexuar, këtë viti tetori i librit vjen me sloganin “Libri afron botën”.

Ceremonia për hapjen e “Tetorit të Librit” u bë në një shesh përpara Bibliotekës Kombëtare. Botues, shkrimtarë, poetë, përkthyes, etj, u bënë bashkë për të nisur një muaj-maratonë me aktivitete dedikuar librit dhe leximit.

Si çdo vit, tetori do të vijë me një sërë aktivitetesh që nga promovimi i shkrimtarëve të rinj, e deri tek shkrimtarët që kanë lënë gjurmë në letrat shqipe si dhe ndikimi i teknologjisë në letërsi.

“Leximi dhe politikat në shërbim të tij mendoj që vijojnë të mbeten një sfidë. Librarët dhe rrjeti i librarive, një komponent i rëndësishëm që lidh botuesin, autorin dhe lexuesin do të jenë sërish në fokus të këtij tetori libri përmes një paneli diskutimesh”, shprehet Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit.

Por në këtë muaj të rëndësishëm duket se shtëpia e librit, Biblioteka Kombëtare është ende në një ngërç të madh. Sipas ministres së Kulturës biblioteka aktuale nuk i përmbush të gjitha kushtet, ndaj do të ketë një godinë të re pranë parkut të liqenit në Tiranë.

“Një nga mënyrat që kemi planifikuar dhe jemi drejt përfundimit për shfryrjen e këtij ngërçi të madh që është krijuar me mungesën e hapësirës në Bibliotekën Kombëtare është finalizimi i rinovimit të aneksit të bibliotekës. Poli i ri kulturor që fillon tashmë me Qendrën Kombëtare të Kulturës për fëmijë ka si element të dytë Bibliotekën Kombëtare. Pra këto dy godina do bëhen bashkë në zonën pranë parkut të liqenit”, u shpreh Ministrja Margariti.

Gjatë “Tetorit të Librit” nuk do të mungojnë edhe aktivitetet, për të vlerësuar kontributin e figurave që kanë përsosur gjuhën e letërsinë shqipe.

“Ky muaj përkon me ditëlindjen e tre poetëve të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare: Migjeni, Dritëro Agollit dhe Gjergj Fishtës. Gjatë muajit tetor do të nderohet kontributi i tyre dhe nëpërmjet aktiviteteve do të mundohemi të krijojmë një lidhje të re e të përhershme mes vargjeve të këtyre poetëve, që përfaqësojnë tri periudha të ndryshme të historisë sonë letrare dhe lexuesve të rinj”, u shpreh ndër të tjera Bardhyli.

Dita e parë nisi me prezantimin e letërsisë gjermane duke qenë se kjo javë i dedikohet kulturës gjermane.

Gjithashtu përveç Tiranës kjo nismë do të shtrihet dhe në rrethe, ku pas rishikimit të ligjit për numrin e kopjeve që depozitohen në Bibliotekën Kombëtare, do të ketë një kalim të fondit edhe në bibliotekat e rretheve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë