Lajme

Librat shkollorë falas, PD: Mashtrim!

Në nisje të vitit të ri shkollor, PD-ja vijon me akuzat për qeverinë Rama, lidhur me dhënien e librave falas.
Nëpërmjet ish-deputetes Orjola Pampuri, PD-ja deklaron se një lajm i tillë nuk është aspak i vërtetë, pasi fëmijët nuk do i marrin librat falas, por prindërit duhet të paguajnë shuma të mëdha.
“Skemat e mashtrimit të kësaj qeverie nuk kanë të sosur, një ndër to është edhe ajo me tekstet shkollore, të cilat prindërve u kushtojnë sa gjysma e pagës në rastin më të mirë kur ata janë të punësuar, e në rastet kur janë me ndihmë ekonomike, pra kanë pasur fatin e mirë ta përfitojnë atë, mes shumë peripecive, librat u kushtojnë sa thuajse trefishi i saj”, shkruan ish-deputetja në “Facebook”.
Sipas Pampurit, edhe nisma e “riciklimit” të teksteve, ku librat shkollorë kalonin brez pas brezi, ishte një hap i dështuar.
“Vitin e kaluar u trumbetua fort nisma për tekste shkollore falas, hap që ishte i dështuar që në fillim me propozimin e 'riciklimit' të teksteve duke i kaluar ato tek njëri-tjetri vit pas viti me kushtin që të ishin të pashënuara e padëmtuara, ky një rikthim 35 vite më parë. Asnjë hap përpara, veç rikthim pas, për qytetarët e pasuri marramendëse për je grusht njerëzish rreth mashtruesit në krye të vendit”, vijon më tej Pampuri.
Në fund, Pampuri bën thirrje për largimin e kësaj qeverie me në krye kryeministrin Edi Rama.
“Asnjë hap pas, për të larguar këtë qeveri mashtruesish e për t'i rikthyer dinjitetin e shpresën qytetareve të këtij vendi”, përfundoi Pampuri.

https://www.facebook.com/orjolapampuri/photos/a.1631788356884663/2530043590392464/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë