Libra

Libraria më e bukur në botë, gjendet në Venecia

E vendosur në zemër të Venecias, libraria “Acqua Alta” , që në shqip do të përkthej batica, fenomen i zakonshëm në qytetin e gondolave, ku herë pas here ujërat e detit mësyjnë drejt rrugëve, shesheve dhe ndonjëherë edhe brenda dyqaneve, është konsideruar si një nga më të bukura dhe të veçantat në botë dhe , nëse keni në plan një udhëtim në qytetin lagunor, futeni edhe këtë vend në itinerar.

Të mbash koleksione librash në një qytet me rrugët prej uji, duket ide e rrezikshme, por në këtë librari nuk ka asgjë për t’u pasur frikë, sepse i ka të gjitha masat për t’i mbrojtur nga uji. Duke marrë parasysh përmbytjet e vazhdueshme në Veneci, të gjithë këta libra janë të vendosura brenda vaskave, koshave rezistentë ndaj ujit dhe në një dhomë, brenda një gondole në përmasa reale.

Pirgje me libra, revista, harta dhe sende të tjera, mace të mbledhura kruspull që koten në aromën e letrës, gondolave. Për t’u ikur baticës, macet e rrugës strehohen aty. Libraria përfaqëson një vendndalim të pashmangshëm për të gjithë që vizitojnë Venecian dhe u pëlqen të lexojnë.

Të hysh aty brenda është si të zhytesh në një botë, në dukje, kaotike dhe e largët nga mënyra jonë e jetesës. Por ato mure plot libra evokojnë një magjepsje, së cilës është e vështirë t’i rezistosh. Çdo vëllim duket se pret atje lexuesin e tij, i sigurt se herët a vonë sytë e njërit do të takojnë ballinën e tjetrit.

Sepse, nëse është e vërtetë se një libër mund të të ndryshojë jetën, mjaft të këqyrësh mirë përreth për të ndier thirrjen e tij dhe për t’i lejuar të të depërtojë në shpirt me fjalët e tij. Mes korridoreve të ngushtë të librarisë “Acqua Alta”, mund vetëm të humbasësh për t’u gjetur sërish nga pas, ku ka një surprizë që na pret: një shkallë e bërë e gjitha prej librash të destinuar drejt shkatërrimit.

Atmosfera magjike pasqyrohet edhe tek dalja e dytë, që të çon drejt e në kanal. Një vend i përkundur mes realitetit dhe fantazisë, bërë prej, siç shkruan shkrimtari Carlos Ruiz Zafón,“asaj arome letre dhe magjie që pashpjegueshëm askujt nuk i kishte vajtur ende në mendje ta fuste në shishe”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë