Politike

“Libra” sërish e Ben Blushit? KQZ e regjistron për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi sot 8 parti politike duke e çuar në total në 30 numrin e subjekteve që do të konkurrojnë për zgjedhjet e 30 qershorit. Në partitë e regjistruara figuron edhe Libra (Lista e Barabartë). Sipas KQZ, kjo parti figuron që ka si kryetar Ben Blushi, ish-deputetin e PS-së, tashmë drejtor i përgjithshëm i Top Channel.
Përpara se të merrej një vendim i tillë, Endri Tafani kryetari i Libra-s në mbledhjen e KQZ-së kërkoi që të mos regjistrohet Libra me emrin e Ben Blushit, pasi ai nuk është më kryetar i kësaj force politike.

"Ka një deklaratë publike që Ben Blushi ka dhënë dorëheqjen nga Libra, madje dhe përfaqësues i KQZ-së jam caktuar unë Endri Tafani. Nuk e di se si kjo gjykatë ka dhënë një vendim të tillë, në një kohë që unë nuk jam njoftuar për një vendim i tillë. S’kam qenë pjesëmarrës në gjyqin që riktheu Blushin si kryetar. Blushi ka dhënë dorëheqjen dhe kjo gjë është e njohur publikisht, me vendim gjykate. Në zgjedhjet e korrikut unë u shpalla kryetar partie,” mësohet të ketë thënë Tafani, i cili më parë ka qenë numri dy i kësaj partie.

Kreu i KQZ, Klement Zguri

Kryekomisioneri Klement Zguri në lidhje me këtë pretendim të nxjerrë nga Tafani u shpreh se institucioni që ai drejton vepron mbi bazën e vendimeve dhe shkresa zyrtare të përcjella nga gjykata.
Gjithashtu edhe nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba në lidhje me këto pretendime të ngritura theksoi se nuk mund t’i kërkohet KQZ-së e vërteta e kryetarit të një partie.
“Janë 126 parti të regjistruara, nuk i kërkohet dot KQZ e vërteta e kryetarit të partisë,” deklaroi Biba. Ndërkohë që KQZ-ja mori vendimin duke regjistruar Libra me kryetar Ben Blushin, tashmë kundër këtij akti mund të bëhet ankesë në Kolegjin Zgjedhor.

Blushi si parti e re nga PS
Ben Blushi ishte një nga emrat më të rëndësishëm brenda PS-së. Ai nisi karrierën brenda PS-së në kohën kur kjo parti drejtohej nga Fatos Nano. Me marrjen e PS-së nga Edi Rama, Blushi fillimisht do të ishte një nga përkrahësit më të flaktë, por mes tyre marrëdhëniet u ftohën. Ndërsa do të krijonte Lëvizjen për Mendimin Ndryshe (LMN) brenda PS-së, e mbështetur nga Kastriot Islami dhe Arben Malaj. Rama do të hakmerrej ndaj Islamit dhe Malajt, duke i larguar nga partia, ndërsa do të “falte” përkohësisht Blushin, pasi tashmë ndarja dhe largimi nga PS-ja ishte e pashmangshme. Blushi së bashku me deputeten Mimoza Hafizi do të krijonin partinë e re “Libra”. Kjo parti do të hynte në zgjedhjet e 2017-ës, por që nuk arriti të hynte në Parlament.

Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi dy themeluesit e LIBRA-s


Në janar të 2018-ës, Blushi do të deklaronte tërheqjen nga Libra, ku me anë të një statusi shprehej i pakënaqur nga elektorati shqiptar.
“Zgjedhjet e fundit ishin një zhgënjim për mua kur pashë se si shumë qytete votuan banditët dhe grabitësit duke u krenuar me zgjedhjen e tyre. Nuk më ka habitur kurrë aftësia e vendit tonë për të prodhuar njerëz të ligj, por nevoja për t'i mbrojtur ata me vota, me shqetëson. E keqja që mbrohet nga populli me vota kthehet në mënyrë jetese dhe bëhet edhe më e keqe duke u kthyer në normë. Prandaj kam vendosur ta heq përkohësisht politikën nga artet e mia. Politika, siç njihet dhe ushtrohet sot në Shqipëri, nuk më jep më shije dhe as motiv dhe unë nuk bëj gjëra të cilat nuk i besoj. E dua shumë Libra për ta dëmtuar me këtë mungesë besimi, prandaj kam vendosur të tërhiqem nga drejtimi i saj. Duke falënderuar të gjithë ata miq brenda dhe jashtë Libra që më mbështeten, jam i bindur se ka burra dhe gra, të cilët me pasion dhe me besim do hapin rrugët që deri tani duken të mbyllura”, do të shprehej Blushi. Ndërkaq edhe një përplasje jo e vogël ndodhi edhe me themeluesen e Libra, Mimoza Hafizin, pasi edhe ajo u përjashtua nga Libra, duke ia hedhur fajin Blushit për këtë akt.

Kokëdhima, Topi regjistrohen në zgjedhje
Në KQZ janë regjistruar edhe partitë e tjera të kampit të opozitës. Kështu partia e ish-presidentit Bamir Topi, Fryma e Re Demokratike, si dhe “Zgjidhja” e Koço Kokëdhimës, dikur mik i afërt i kryeministrit Rama, janë regjistruar për zgjedhjet lokale. Në garën për zgjedhje janë regjistruar edhe Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës dhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos.
Partia e Reformave Demokratike Shqiptare, Partia Social Punëtore, Partia e Pajtimit Kombëtar, Partia Aleanca KuqeZi janë subjektet e tjera që u regjistruan në këto zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë