Art dhe Kulture

Libra dhe piktura/ Ekspozita e veçantë e Zef dhe Albana Shoshit

Nga Gazeta “SI” – Një ekspozitë krejt e veçantë është çelur sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Zef dhe dhe Albana Shoshi, dy piktorë babë e bijë, sjellin për publikun një ndërthurje të veprave të tyre, disa prej të cilave ekspozohen për herë të parë siç janë dy nudot e Zef Shoshit, të realizuara në vitin 1972.

Vetë piktori u shpreh se ndihej mirë, në një mjedis të ngrohtë, që edhe pse dedikuar librit mund të mirëpriste ekspozita e piktura, që i qëndrojnë mirë dhe plotësojnë misionin e artit. Rreth nudove të tij, piktori tregoi se i përkisnin një periudhe të hershme, vitit 1972, dhe po shihnin dritën për publikun tani, falë bashkëpunimit me QKLL-në.

Zef Shoshi

Ndërkohë autorja e ekspozitës Albana Shoshi vlerësoi realizimin e saj dhe përshëndeti idenë e ndërthurjes së këtyre veprave me krijimet e të atit.

“Dëshiroj që përmes krijimeve të transmetoj jetën, përmes ngjyrave dhe dlirësinë e natyrës. Lidhur me praninë e figurës femërore në pikturat e mija, veçoj se ishte një pëzgjedhje për festat e marsit, që janë në prag, për t’i dedikuar hapësirën dhe vëmendjen që meriton gruaja”, tha Albana Shoshi.

Albana Shoshi

Të pranishmit, artistë e dashamirës të artit, shuan kureshtjen e tyre mbi veprat e shfaqura, por dhe për përjetime artistike të Zef e Albana Shoshit, përmes një bashkëbisedimi të ngrohtë dhe interaktiv.

Zef Shoshi është një nga portretistët më të mirë në Shqipëri. Talentin dhe pasionin për pikturën e trashëgoi nga i ati, një bankier e gjithashtu piktor amator. Nëpërmjet një burse që iu akordua nga shteti shqiptar, ai ndoqi studimet në Rusi dhe më pas u kthye sërish në Shqipëri për të aplikuar artin e tij. Një ndër portretet të cilët Shoshi ka realizuar ka qenë dhe ai i diktatorit Hoxha. Ndërkohë talentin për pikturën e trashëguan dhe dy fëmijët e tij, Albana dhe Gjergji, tashmë dy piktorë profesionistë dhe të njohur.

Ekspozita  u shoqërua edhe nga një stendë librash, të shkëputur nga biblioteka e pasur e familjes Shoshi, kryesisht me vepra të parapëlqyera të Zefit, në rusisht dhe shqip.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë