Futboll

Libertadores/ Santosi çmonton Bokën, finale braziliane me Palmeirasin

Santos-Palmeiras, një finale e gjitha braziliane në Kupën Libertadores. Pas 0-0 në ndeshjen e pare gjysmëfinale, në fushën e Boka Zhunior, Santosi ka fituar 3-0 në shtëpi ndaj argjentinasve dhe ka siguruar finalen. Golat u shënuan nga Pituka (16’), Soteldo (49’) dhe Braga (51’).

Tevez me shokë mbeten jashtë finales së 30 janarit, ku fituesi ka të drejtën të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve në shkurt. Një sfidë mes dy klubeve të mëdha braziliane, e 61-ta në këtë kompeticion, që do luhet në “Maracanà”.

Nga ndeshja Santos-Boka Zhuniors, 3-0. Gazeta Si, 14 janar 2021

Santosi nuk pati mëshirë ndaj Bokës, duke e çmontuar kundërshtarin pa shumë vështirësi. Marinjo goditi shtyllën vetëm pas 45 sekondash, ndërsa në minutën e 16-të Pituka goditi saktë me të majtën, rrafsh me tokën. Boka e pati shumë të vështirë të reagonte. Me fillimin e pjesës së dytë, të zotët e shtëpisë u dhanë fund shpresave të argjentinasve, duke shënuar 2 gola me Soteldo dhe Braga.

Gjithçka u bë edhe më e lehtë për Santosin, pasi Fabra u ndëshkua me karton të kuq dhe e la Bokën me 10 vetë për më shumë se gjymë ore. Ndeshja nuk kishte më histori. Përpjekjet e Tevezit për të shënuar golin e nderit nuk dhanë rezultat, ndërsa brazilianët humbën disa raste për golin e katërt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë