Futboll

Libertadores nis mes polemikash, Boka në fushë me lojtarë të infektuar

Kupa Libertadores nis mes polemikash. Gjithçka për shkak të një vendimi të diskutuar, që thyen protokollin sanitar të Federatës Amerikano-jugore sa i takon pandemisë. Rreth 10 ditë më parë, ekipi i Boka Zhuniorsit ishte vatër e Covid-19, por argjentinasit kanë marrë autorizimin të udhëtojnë për në Paraguai, për ndeshjen me Libertad, e programuar të luhet mbrëmjen e së enjtes.

Jo vetëm kaq, por sipas një njoftimi të dalë nga Conmebol dhe Ministria e Shëndetit në Asuncion, Boka mund të aktivizojë lojtarë që kanë rezultuar pozitivë në tamponët e fundit të bërë në fundjavë. Drejtuesit e Libertad, kundërshtarit të Bokës, kanë reaguar fuqishëm me një komunikatë zyrtare, ku shprehin indinjatën për vendimin në fjalë. Madje, ata do të bëjnë rekurs ndaj një vendimi të tillë, që vë në rrezik shëndetin jo vetëm të lojtarëve, por të gjithë popullit paraguaian.

Nga një derbi mes Bokës dhe River Plejtit. Gazeta Si, 15 shtator 2020

Pas një pezullimi të gjatë prej 5 muajsh për shkak të karantinës, ekipet argjentinase kanë nisur stërvitjen, por për rifillimin e kampionatit duhet pritur. Turneu më i rëndësishëm i kontinentit ngre siparin sot në mbrëmje dhe Boka është përgatitur për rikthimin, por infektimi i lojtarëve të saj me Koronavirus vetëm 10 ditë më parë është problem. Plot 22 lojtarë të skuadrës argjentinase rezultuan pozitivë dhe u futën në izolim. Tamponi i fundit, i bërë të dielën, nxori sërish pozitivë më shumë se 50% të atyre që ishin infektuar. Megjithatë, Conmebol dhe autoritetet shëndetësore e lejuan skuadrën të shkojë në Paraguai.

“Është dhënë leja që lojtarët e Bokës të luajnë, - shpjegon komisioni sanitar i Conmebol, - sepse ata nuk janë aq të ngarkuar nga virusi sa të infektojnë edhe të tjerët. Pas ditëve të izolimit dhe pavarësisht faktit se kanë dalë përsëri pozitivë, ata janë të aftë të luajnë”. Por drejtuesit e Libertad nuk janë dakord dhe kundërshtojnë fort.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë