Ka ndodhur

Lezhë, dhunohet dhe grabitet në shtëpi çifti i bashkëshortëve. Kryefamiljari: Ishin të maskuar

Të paktën dy persona kanë grabitur në orët e para të mëngjesit të së hënës një banesë në fshatin Spiten të Lezhës, duke dhunuar të zotët e shtëpisë.

Policia tha se pre e grabitjes ka rënë banesa e shtetasit Gj.D., dhe bashkëshortes së tij V.D.,47 vjeçe. Autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë.

Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat policia shpreson që të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

Dyshimet janë se ata mund ta njihnin familjen, pasi kryefamiljari jetonte dhe punonte në Gjermani dhe kishte vetëm dy javë që ishte kthyer. I pyetur nga mediat, ai tregon momentin që grabitësit kanë hyrë në shtëpi.

Kryefamiljari i cili ra pre e grabitjes në Lezhë

“Sa isha shtri që të flija dhe dëgjova zhurmë, dolën fëmijët duke bërtitur dhe unë mendova se po bënin shaka dhe po loznin. Kur dola nga dhoma, pashë dy njerëz të veshur me të zeza të maskuar, njëri kishte armë, tjetri një si dorezë hekuri në dorë, më gjuajti dhe më la pa ndjenja pas meje doli gruaja dhe ajo është më e lënduar se unë te pjesa e syrit. Na kërkonin lekët, njëri rrinte me armë dhe kërkonte që të jepnim lekët por ne s’kishim, ato morën telefonat dhe lekët që gjetën. Dola t’i shikoj nga ikën dhe kaluan sipër murit. Kanë ikur në këmbë”, ka thënë i zoti i shtëpisë.

Ai shprehet se grabitësit i kanë kërkuar lekët dhe pasi i ka thënë që nuk kanë asgjë në banesë, i kanë goditur bashkë me bashkëshorten.

Mësohet se gruaja është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. Janë shoqëruar në komisariat disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë