Ka ndodhur

Lëvizte i dehur dhe i armatosur, arrestohet 23-vjeçari në Tiranë

Një 23-vjeçar nga Shijaku është arrestuar nga policia, pasi lëvizte me armë me vete në gjendje të dehur.

Sipas policisë, në pranga ka përfunduar J. Gj, ndërsa është proceduar një tjetër shtetas, për shkak se nuk ka treguar ngjarjen.

“Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, Forca e Posaçme ‘Shqiponjat’, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ka arrestuar në flagrancë shtetasin: J. Gj., 23 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale ‘Armëmbajtja pa leje’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se kapja e 23-vjeçarit u bë në bulevardin “Gjergj Fishta”, gjatë kohës që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/l.

“Shërbimet e Policisë kishin marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin J. Gj. dhe pasagjer shtetasin E. B., poshtë sediljes së drejtuesit të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Beretta” dhe 10 fishekë”, vijon më tej njoftimi.

Ndërkohë është proceduar penalisht 24-vjeçari me inicialet E. B, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë fakt dhe nuk ka kallëzuar në organet kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë